Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës.
Lajmin e hidhur e konfirmoi edhe nëna e tij përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
"Të nderuar shokë, miq dhe dashamirës. Nuk më bën dora të shkruaj për humbjen e të shtrenjtit, djalit tim të dashur Artan Lame . Po ky moment i mallkuar erdhi dhe më shoi atë shpresë që mu ngjall dje. Shpresoja sepse më premtoi që do kthehej,“ ….-nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do operohej) jam mirë , jam i qetë por po përqendrohem te Muzeu.” Edhe nga gjumi ta zgjoje për Muzeun fliste.Kur Tanin të ma sjellin këtu do t’ju bëjmë të ditur procedurat e mëtejeshme" shkruan Diana Lame.
Pak muaj më parë ai pësoi një tjetër goditje, pas një ishemie. Ndërsa, zemra i shfaqi sërish probleme. Prej një jave në Gjermani, Artan Lame nuk mundi t’ia dalë të përballonte një tjetër një ndërhyrje të vështirë.
Gjurmët që shpresonte të linte në histori, Artan Lame nisi t’i shënjoi duke u angazhuar në disa detyra shtetërore ku spikati si një drejtues i përkushtuar dhe me vizion. Në vitin 2000 ishte drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, më tej deri në 2002-shin, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Për 3 vite të tjera, zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit. Nga 2013-a, për 6 vite drejtoi Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI). E përmbylli angazhimi publik me detyra shtetërore, si Drejtor i Përgjithshëm Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.