Drejtori i postës së Dibrës, Ilir Vraniçi dhe shefi i zyrës Xhevdet Doda janë arrestuar këtë të premte për shpërdorim detyre.
Prokurorja Xhoana Mehmetaj ka firmosur urdhër arrestin edhe punonjësin e postës Gazmir Hasi, i cili akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikim dokumentesh.
Ky person sipas hetimeve ka vjedhur pensionet e qytetarëve, rreth 6 milion lekë (të rinj).
Hasi ka mundur t’i shpëtojë policisë, pasi ende nuk është arrestuar.
Dy shefat e tij, drejtori i postës dhe shefi i zyrës akuzohen se nuk e kanë pikasur vjedhjen, edhe pse në dokumentacionet e plotësuara nga Hasi ka parregullsi. Sipas hetimeve ata kanë pasur dijeni për veprimet e vartësit te tyre.
E gjitha parregullsia, sipas veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se ka ndodhur në periudhën janar-maj të këtij viti.
Një muaj më parë, emisioni investigativ “Fiks Fare”, denoncoi skandalin me pensionet e dhjetëra banorëve të Peshkopisë, të cilët po endeshin në dyert e institucioneve shtetërore.
Punonjësi i Postës, Gazmir Hysi, i cili duhet t’ua shpërndante, u zhduk, bashkë me një shumë të majme monetare. Në redaksinë e emisionit mbërriti një informacion për këtë problematikë. Gazetarët biseduan me dhjetëra pensionistë në Peshkopi dhe Njësinë Administrative Kastriot.