Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik në Itali, pasi një profesor gjermanishteje ka publikuar në rrjetet sociale një postim ku i uronte vajzës së kryeministres Giorgia Meloni “të njëjtin fat si Martina Carbonaro”, një vajzë 14-vjeçare e vrarë nga ish-i dashuri i saj në Afragola.
Përballë reagimeve të ashpra, profesori është detyruar të kërkojë ndjesë, duke e cilësuar veprimin si një “gjest idiot” dhe një “shpërthim impulsiv”.
“Kërkoj ndjesë për përmbajtjen – nuk duhet uruar kurrë vdekja, aq më pak për një fëmijë. Por nuk tërhiqem nga idetë e mia politike. Kjo qeveri nuk më përfaqëson,” deklaroi ai në një intervistë për Roma Online.
Profesori theksoi se nuk ka bërë kurrë politikë në klasë, se nxënësit e tij e duan dhe se angazhohet në aktivitete vullnetare.
Sipas tij, postimi u bë në një gjendje emocionale të rënduar, pas lajmit se Italia po dërgonte armë në Izrael.
“U zgjova në mëngjes dhe thashë: ‘Çfarë kam shkruar!’ U pendova menjëherë. E fshiva postimin, jo nga frika, por sepse e kuptova që ishte i gabuar.”
Ai shtoi se pas postimit është përballur me kërcënime me vdekje, fyerje dhe hedhje domatesh në banesë, duke bërë një kallëzim në Policinë Postare.
Reagimi i Melonit: “Kjo nuk është politikë, por urrejtje e sëmurë”
Kryeministrja Giorgia Meloni reagoi me indinjatë përmes një postimi në Facebook:
“Kjo nuk është politikë. Nuk është as zemërim. Është diçka më e errët, që tregon një klimë të sëmurë dhe një urrejtje ideologjike, ku gjithçka duket e lejueshme – edhe t’i urosh vdekjen një fëmije për të goditur një prind.”
Meloni kërkoi unitet në politikë kundër gjuhës së urrejtjes:
“Ka kufij që nuk duhet kapërcyer kurrë. Dhe mbrojtja e tyre është përgjegjësi përtej çdo përkatësie politike.”
Reagimi institucional: Hetime dhe masa të ashpra
Postimi, që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, u denoncua fillimisht nga partia Fratelli d’Italia, e cila e cilësoi si “të frikshëm dhe të papranueshëm”.
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka urdhëruar hetime për rastin dhe ka paralajmëruar masa shembullore:
“Asnjë tolerancë për dhunën,” tha Valditara.