Universitet

STUDENTËT ndërkombëtarë në UET, kontrata e parë me agjentin nga Nigeria

Shkruar nga Liberale

STUDENTËT ndërkombëtarë në UET, kontrata e parë me

Fushata e ndërkombëtarizimit në Universitetin Europian të Tiranës po e fut në një fazë të re arsimin e lartë shqiptar. E nisur me ambicien për ta bërë arsimin gjithëpërfshirës dhe një aktor me ndikim në zhvillimin ekonomik, social e kulturor të Shqipërisë, kjo fushatë jo vetëm ka shtuar interesin e të huajve për të ardhur në UET, por ka hedhur themelet e një bashkëpunimi të gjatë me agjencitë më në zë që lidhin studentët me universitet.

E ndërsa komunikimet online, shkëmbimet dhe marrëveshjet e bashkëpunimit janë shtuar, ka filluar edhe njohja me institucionin nga afër. Peter Atunalu, drejtues i agjencisë së rekrutimeve në Nigeri, Univacity, e cila ka gjithashtu zyrën e vet në Londër, erdhi në Shqipëri për të vizituar Universitetin Europian të Tiranës. Ai zhvilloi një takim me dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, drejtues në UET për studentët ndërkombëtarë, prof. asoc. dr. Mateo Spaho ku nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit dhe folën për oportunitetet e studimit në një universitet si UET, i akredituar ndërkombëtarisht nga Quality Assurance Agency (QAA).

Profesor Spaho tha se me nisjen e procesit të ndërkombëtarizimit, interesi ka ardhur duke u shtuar. Një vit më parë janë interesuar 3 mijë studentë, prej të cilëve kanë aplikuar 100 për të vijuar studimet në UET. Rritja e regjistrimeve do të reflektohet edhe në shtimin e programeve që ofrohen në gjuhën angleze.

“Në vitin akademik 2025-2026 UET do të ofrojë më shumë se 10 programe mësimore të cikleve Bachelor dhe Master në gjuhën angleze. Bëhet fjalë për programe të tilla, si: Financa, Menaxhimi, Inxhinieria Informatike, Teknologjia e Informacionit dhe Shkencat Politike. Së shpejti UET do të jetë i gatshëm të ofrojë programe në gjuhën angleze në Shkencat Mjekësore, në Inxhinieri dhe Arkitekturë për ta bërë sa më të kompletuar ofertën akademike ndaj studentëve të huaj.”

Peter Atunalu është eksperienca e dorës së parë sa i përket të studiuarit në një universitet të huaj. Ai është diplomuar për Inxhinieri Kompjuterike në European University of Lefke në Qipron Veriore dhe e di mjaft mirë se çfarë impakti ka në zhvillimin profesional, personal e kulturor ndjekja e studimeve në një vend të ri. Pasi bëri një tur në ambientet e UET-it, Peter Atunalu vizitoi kryeqytetin dhe qytetin bregdetar të Durrësit, për të përçuar imazhin dhe potencialin që Shqipëria ofron si një vend turistik.

Sipas të dhënave, studentët që vijnë në UET janë nga vende të tilla si Ukraina, Nigeria, Algjeria, Siria, India e ndërsa pritet që këtij ‘mozaiku’ t’i shtohen studentë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe vendet e Azisë Juglindore.
Në nëntor të 2024-ës, UET u bë i pari universitet shqiptar që mori pjesë në panairin ndërkombëtar më të madh të studentëve të huaj në Berlin.

Për të ndjekur më nga afër procesin e rekrutimeve, UET ka hapur zyrën e studentëve të huaj, e cila jo vetëm asiston në plotësimin dokumentacionit por gjendet pranë tyre për ta bërë më të lehtë procesin e përshtatjes gjatë periudhës së studimit dhe qëndrimit në Shqipëri.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH