Të pikturosh nga natyra nuk është kopjim i objektit, është realizimi i ndjesive të dikujt deklaronte piktori francez Paul Cezanne. Një nga më të mëdhenjtë e post-impresionistëve la dhjetëra piktura peizazhi ku përshkruante malet, fushat, guroret dhe vijën bregdetare të Provence.
Jo pa qëllim Kolonia e Artit e Shqipërisë së Mesme zgjedh natyrën e Petrelës, për studentët dhe maturantët që derdhin pasionin dhe stilin e tyre në telajo.
E kthyer tashmë në traditë, Kolonia UET-Arts zhvilloi në fund të muajit maj edicionin e saj të dhjetë, me një përzierje brezash e eksperiencash. Kjo ngjarje e rëndësishme për Universitetin Europian të Tiranës dhe pikturën shqiptare ka si synim të bashkojë mjeshtrit e talentet e reja, në mënyrë që të shkëmbejnë dhe ndajnë me njëri-tjetrin pasionin dhe përkushtimin ndaj artit e pikturës.
Kolonia e Artit 2024 u organizua me pjesëmarrjen e studentëve diplomantë të programit Arte Pamore në UET, ndërsa juria përbëhej nga Naxhi Bakalli, Aleksandër Filipi, Bujar Kapexhiu, Lec Shkeli, Abaz Hado.
Përgjatë disa ditëve në Petrelë "Mjeshtri i Madh" Naxhi Bakalli ndoqi nga afër punën e studentëve, i vlerësoi e këshilloi ata për t'u zhvilluar më tej në këtë rrugëtim ku disiplina, mentorimi, kreativiteti e imagjinata kanë po aq rëndësi sa edhe talenti.
Në ceremoninë e hapjes, zhvilluar në UET, anëtarët e jurisë folën për rëndësinë dhe impaktin e këtij eventi, të mundësisë që iu ofron studentëve të njohin e të mësojnë nga më të mirët, nga modelet e tyre, ndërsa pjesëmarrësit ndër vite i kanë lënë UET-it një galeri të çmuar të punimeve me peizazhe.
Bujar Kapexhiu, themeluesi i Kolonisë e drejtues i disa edicioneve, tha se kjo është një ngjarje e bukur për piktorët, që i rikthehen kontaktit me natyrën, ritakohen me njëri-tjetrin për të biseduar dhe kujtuar, për të marrë nga energjia rinore e për të njohur pikëpamjet e tyre.
"Takohemi, flasim, tregojmë ecurinë dhe planet tona. Për studentët që njihen me personalitete të artit dhe shohin krijimtarinë e tyre, punët e tyre, padyshim është një copëz shkolle, copëza leksionesh."
Një bashkëbisedim në interes të të dyja palëve, jo vetëm momente pune por edhe relaksimi, e cilësoi themeluesi i degës së Komunikim-Dizajnit dhe ish-pedgaog i UET.
"Progresi nuk vjen pa kërkesën tuaj”, iu drejtua Bakalli studentëve. "Uroj që formimin në këtë fushë ta keni marrë seriozisht para se të vini këtu, në mënyrë që t’i përkushtoheni kësaj sfere, sepse shumë nocione janë enigmë për njeriun që nuk pushon së kërkuari."
Me një urti karakteristike prej moshës e mençurisë, lakonik dhe i thellë, me fjalë që tingëllonin këshilluese, por nënkuptonin shumë për natyrën dhe njeriun që i mbart ato, Bakalli mori shumë pak kohë për të thënë edhe më shumë sesa thonë sot masterclass-et botërore.
I udhëzoi të rinjtë ta fillojnë kërkimin brenda vetes, e pastaj do të jetë shkolla ajo që do të hapë një hulli e do të lërë një shenjë në ndërgjegjen e tyre. "Ajo do t’iu çojë jo vetëm drejt një të ardhmeje personale, por drejt një dere kolektive në fushën e arteve. Me egon e mirë ju duhet të nxisni vetveten drejt kuptimësive të reja", tha më tej Bakalli.
Si kryetari i jurisë së festivalit Kolonia UET-Arts, ai u zotua se do t'i përballojë të gjitha çështjet që do të dalin gjatë rrugës, duke e vënë theksin te dëshira për të mos ia kursyer ndihmën atij që e kërkon dhe te përgjegjësia për t'u përgjigjur në kuptim sa më të saktë dhe të drejtë.
“Sikur njerëzit të ishin të përgatitur të dëgjonin çdo bisedë që bëhet në përgjithësi nga njerëzit e artit, sigurisht do të bëheshin edhe më qytetarë sesa janë", ishte mesazhi i tij përmbyllës.
Anëtari tjetër i jurisë, piktori Aleksandër Filipi shprehu bindjen ky edicion do të zhvillohet me kënaqësi dhe pasion. "Marrëdhënia me brezin e ri të jep energji të reja, të krijon një lloj freskimi. Patjetër edhe dalja në natyrë është një rifreskim i vetvetes."
Kolonia UET- Arts, përveçse takim brezash, dialog e bashkëbisedim me personalitetet e pikturës, është dhe përmbushje e detyrimit që kanë studentët para diplomimit.
Punimet e tyre u paraqitën gjatë disa ditëve në ekspozitën e studentëve të Arteve në ambientet e universitetit.