Polis

Forumet UET/ Mediat në qendër të dialogut ndërinstitucional për integrimin nga UET

Shkruar nga Liberale

Forumet UET/  Mediat në qendër të dialogut ndërinstitucional

I ftuar zv. ministri i Drejtësisë, Tedi Tobi përballë pedagogëve dhe studentëve të dy fakulteteve qe po implementojnë projektet Jean Monnet Chair dhe të AKKSHI, në drejtim të Dekanes Budini

Iniciativa e promovimit të standardeve europiane për mediat dhe gazetarinë është e Fakultetit të Shkencave Humane Edukimit dhe Arteve Liberale në UET në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku pedagogë, kërkues shkencorë, studentë por edhe përfaqësues institucionesh, rregullatorë shtetërorë janë përfshirë në një proces ndërveprimi me njëri-tjetrin.

Ky ishte edhe fokusi i forumit të realizuar në kuadër të programit të BE, Jean Monnet, ProEUMedAl me Chair dekanen e Fakultetit, Prof. Belina Budini, si edhe projektit kombëtar të kërkimit dhe zhvillimit me AKKSHI-n.

Forumi i organizuar nga dekania e Fakultetit të Shkencave Humane Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. asoc. dr. Belina Budini, në bashkëpunim me dekanen e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, prof. asoc. dr. Juelda Lamçe, solli në UET zv. ministrin e Drejtësisë, z. Tedi Dobi. Një rikthim pas 13 vitesh në auditorin e këtij universiteti, ku për herë të parë e shkeli si student në 2011, për të ndarë me kolegët e tij shqiptarë përvojën e sistemit të drejtësisë në Skoci, aty ku edhe vijonte studimet.

Tashmë si zv. ministër i Drejtësisë, por edhe si person përgjegjës për rregullimin normativ dhe legjislativ të mediave dhe përafrimit me standardet europiane, ndërsa Shqipëria është vend kandidat në Bashkimin Europian, z. Tobi tregoi se janë marrë një sërë masash, me ndërveprimin e disa institucioneve shtetërore.

“Ne si Ministri e Drejtësisë, unë jam një nga personat përgjegjës, por edhe në bashkëpunim me të gjithë kolegët e tjerë, kryesisht të Ministrisë së Brendshme, që ka një rol të rëndësishëm, me Prokurorinë e Përgjithsme dhe organet e tjera, kemi marrë një sërë masash që janë parashikuar në udhërrëfyes.”

Forumet UET/  Mediat në qendër të dialogut ndërinstitucional

Zv. ministri sqaroi se këto udhërrëfyes apo kontrata mes shtetit shqiptar dhe Bashkimit Europian përcaktojnë angazhimin dhe punën serioze të kryer nga institucionet, që reflektohet pastaj në ecurinë e procesit të integrimit.

“Disa nga masat që janë marrë janë rregullorja e AMA-s në lidhje me transparencën e pronësisë së medias, që është kaluar tashmë. Kemi marrë përsipër edhe ndryshime të tjera në lidhje me AMA deri në vitin 2026, më mënyrë të përshkallëzuar, për të siguruar rritje të transparencës të kontrollit. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Inspektoratin e Punës dhe po shohim për të rritur kapacitetet për të siguruar përmbushjen dhe detyrimet e punëdhënësve të mediave, siç janë kontratat e punës. Me Prokurorinë kemi pika kontakti për rastet e dhunës të ushtruar ndaj gazetarëve për shkak të detyrës.”

Lidhur me paditë e shtuara nga dhe për gazetarët, z. Tobi tha se parashikohen rregullime ligjore që do të bëjnë të mundur adresimin sa më shpejt të çështjeve. “Kodi i procedurës do të bëhet në mënyrë që padi të tilla të mbyllen sa më shpejtë dhe të tërë detyrimet financiare të kalojnë te pala që po abuzon. Duam që gazetarët të kenë mbështetjen e duhur, prandaj po bëjmë analizën e gjendjes.”

Forumet UET/  Mediat në qendër të dialogut ndërinstitucional

I pyetur nga dekania Lamçe për qasjen që ka Ministria e Drejtësisë për përgjegjshmërinë e gazetarëve në raportim, z. Tobi tha se kjo bëhet nëpërmjet vetërregullimit të mediave, siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera. “Ne jemi për ta mbështetur me masa ligjore e institucionale, por vetërregullimi është masa e duhur. Kemi shumë çfarë të mësojmë nga bota dhe të marrim shembujt më të mirë.”

Projektet nga BE dhe AKKSHI

Gjatë takimit u bë prezantimi i dy projekteve të reja të fituara nga dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. asoc. dr. Belina Budini, të cilët do të implementohen në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Projekti i parë është ndërkombëtar, ProEUMedAl i Jean Monnet Chair i fokusuar në promovimin e standardeve të BE-së për demokracinë dhe vetërregullimin e lirisë së medias në Shqipëri. Projekti i dytë është në rang kombëtar, mbështetur nga AKKSHI, me temë “Rregullimi i mjedisit mediatik në erën digjitale: Hulumtimi i instrumenteve dhe praktikave novatore në linjë me standardet e BE-së 2024-2026”.

Siç edhe sqaroi dekania Budini të dyja projektet janë të ndërlidhura dhe synojnë rezultate e produkte të ndryshme por mundësia është që diskutimi të jetë gjithmonë i ndërlidhur mes departamenteve dhe fakulteteve.

Forumet UET/  Mediat në qendër të dialogut ndërinstitucional

Lidhur me projektin ProEUMedAl i Jean Monnet Chair, dekania Budini sqaroi se është rasti që ky projekt i njohur tashmë në forumet e brendshme, të prezantohet në kuadër të pluralizmit, lirisë së mediave dhe vetërregullimit të mediave në Shqipëri, të lidhura me aspiratat për integrimin në BE dhe për ta shndërruar universitetin në një qendër diskutimesh e propozimesh politikash.

“Ky projekt është hartuar si një bashkëpunim mes dy fakulteteve me qëllim që pedagogët, kërkuesit shkencorë, studentët tanë të fillojnë të mendojnë në terma të lirisë së mediave në të gjitha departamentet, nëpërmjet rishikimit të 12 silabuseve tona që janë programe studimi në shumë drejtime, në shumë departamente. Vetëm fakulteti jonë ka tre departamente, kemi ndërdisiplinaritet brenda fakultetit. Edhe studentët e arteve do të njihen me studimet europiane, me kornizat referenciale të BE dhe gjithë dinamikat që lidhen me sfidat e integrimit apo me standardet apo kriteret me suksesin në këtë drejtim dhe ndërkohë e njëjta që do të vlejë edhe për studentët e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare që do e inkorporojnë median dhe merakun, shqetësimin e sfidat që lidhen rregullimin e mediave, lirinë e mediave dhe pluralizmin e mediave”, theksoi Budini.

Forumet UET/  Mediat në qendër të dialogut ndërinstitucional

Projektet përfshijnë studimin e mediave brenda silabuseve dhe zhvillimin e kërkimeve shkencor. Sipas dekanes, sfida e radhës është që të shkohet përtej diskutimeve, tryezave të rastit që nuk kanë munguar dhe të realizohen kërkime shkencore, botime, publikiem në revistat shkencore të dy fakulteteve etj.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH