Nga prof. asoc. dr. Selami Xhepa
Në këtë ceremoni që organizojmë sonte në diplomimin e studentëve të programit tonë Master, dëshiroj të falënderoj gjithsecilin prej jush të dashur ish-student, t’ju përgëzoj për punën dhe përkushtimin tuaj. Kjo periudhë dyvjeçare e studimeve tuaja ka qenë realisht një sakrificë e madhe, ku shumica juaj kanë vrapuar nga zyrat apo vendet e punës drejt auditorit për të arritur në kohë procesin mësimor. Por ka qenë një sakrificë që ja ka vlejtur! Tashmë ju keni kompletuar formimin tuaj profesional akademik, dhe jeni të gatshëm të merrni përsipër përgjegjësim më të madhe në punën ku jeni ose të ndërtoni një karrierë të re kudo ku ekspertiza juaj do të jetë e kërkuar.
Dëshiroj të falënderoj edhe prindërit tuaj që ju kanë mbështetur në këtë rrugëtim tuajin; ndihma e prindit mbetet e pakursyer dhe e pankondicionuar për fëmijën gjatë gjithë jetës, prandaj dhe ata meritojnë respekt dhe mirënjohje të përjetshme.
Një falënderim për të gjithë stafin akademik dhe mbështetës të UET. Angazhimi, puna dhe përkushtimi i tyre meritojnë gjithashtu një mirënjohje të veçantë dhe i përshëndes të gjithë ata edhe në emrin tuaj të dashur ish studentë!
Do të doja që ky moment i diplomimit të mos jetë dhe dita e ndarjes nga njëri-tjetri dhe nga universiteti. Le ta ruajmë miqësinë dhe lidhjen mes nesh edhe në vitet që vijnë, sepse të mësuarit kurrë nuk përfundon; dija sot rritet me një shpejtësi të pazakontë dhe ku më mirë se në një universitet njeriu mund të mësojmë më shpejt dhe në mënyrë të strukturuar zhvillimet dhe përparimet në çdo fushë të shkencës. Bëhuni pjesë aktive e rrjetit tonë të Alumni dhe ndihmoni njëri-tjetrin si pjesë e komunitetit të madh të ish-studentëve tanë.
Ne jemi shumë krenarë me arritjet e studentëve tanë të cilët sot i gjejmë kudo shkojmë; në zyrat e administratës publike, në biznese, në shoqërinë civile, në politikë, kudo. Ju do t'i bashkoheni këtij komuniteti të madh të ish-uetistave duke i shtuar më shumë vlerë edhe universitetit tonë. Përhapeni fjalën dhe imazhin e UET kudo ku do të jeni nesër dhe ndihuni krenar që keni qenë pjesë e këtij universiteti, siç ndihemi edhe ne krenar me ju.
Të dashur ish-studentë,
Çdo kohë ka sfidat e veta; ka momentet e vështira dhe dilemat me të cilat ndeshemi. Siç kemi kaluar ne tonat, edhe ju do të përshkoni rrugën tuaj përmes dilemash, dhe zgjedhjet që do të bëni, do të jenë vetë jeta juaj. Pa hyrë në moralizime të tepruara, dëshiroj t’ju them se sjellja e ndershme, integriteti profesional, solidariteti njerëzor, ndjekja e kauzave të drejta shoqërore, janë rrugë e mundimshme, madje ndonjëherë edhe nuk shpërblen – në kontekstin tonë lokal, por kjo do ju bëj më të respektuar e më të çmuar për shoqërinë. Në një shoqëri që shkon drejt fragmentimit dhe polarizimit shoqëror, ku injoranca bëhet shtrat i konspiracionit, dhe ku mediat sociale shndërrohen në zëdhënës të tyre me një efekt kontaminues të jashtëzakonshëm, rreziqet që do kemi përpara janë mjaft të mëdha. Është detyra e njerëzve të arsimuar dhe edukuar, të rinjve dhe të rejave si ju, që të bëhen barrierë ndaj tyre. Të luftosh korrupsionin në vend, të luftosh ndaj padrejtësive shoqërore, të kërkosh të ndryshosh pozitivisht vendin tënd, kërkon të angazhohesh dhe jo thjesht të konstatosh. Ashtu sikurse familjet tuaja, edhe vendi dhe shoqëria kanë nevojë për kontributin tuaj.
Ju uroj të gjithëve një jetë të gjatë e të shëndetshme dhe një karrierë profesionale sa më të suksesshme!