Në nisje të sezonit të ri të parlamentit, ulur me njëri-tjetrin janë parë Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi.
Çfarë ka rënë në sy gjatë kohës kur Sali Berisha po mbante fjalën e tij në foltore është një debat midis të dyve.
Nuk dihet për çfarë bisede bëhet fjalë, por filmimet tregojnë një tension mes të dyve që ka ardhur pas njoftimit të Lindita Nikollës së PD ka vendosur kryetar të grupit parlamentar Lulzim Bashën.
Situata ka vijuar në një debat edhe mes krye-parlamentares dhe Bardhit për formën se si zgjidhet kryetari i grupit parlamentar.
Duket se shkarkimi i Bardhit nga kreu i grupit parlamentar ka nxitur edhe përplasjen mes tyre. “Mos u çudisni kur të dalë e të shpallet Mbret i Anglisë”, tha Bardhi ironikisht për Bashën pas daljes nga Kuvendi.
Bardhi tha se e fton Bashën që të jetë pjesë e këtij takimi dhe nëse arrin të marrë votat e deputetëve për të qenë kreu i grupit demokrat, edhe ai do t’i jepte votën Lulzim Bashës.
Ai ka paralajmëruar nesër një takim me deputetët e PD-së, pavarësisht se në cilin kanë kah janë reshtuar. Sipas Bardhit, ky takim ka si qëllim unifikimin e opozitës përballë mazhorancës së drejtuar nga kryeministrit Rama ndërsa shtoi se koha kur skandalet qeveritare mbuloheshin me debate nga vetë deputetët e opozitës duhet të marrë fund.
“Koha kur skandalet qeveritare mbuloheshin nga debatet mes vetë deputetëve të opozitës do të duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Shqipëria ka nevojë për një opozitë funksionale, jo një opozitë që zihet mes vetes dhe i krijon lehtësinë e domosdoshme një qeverie të korruptuar.
Ky është qëllimi i takimit të nesërm. Cilido deputet që e ndjen veten opozitar është i ftuar në këtë takim të përbashkët të 59 deputetëve të dalë nga lista e Partisë Demokratike. Sigurisht që z. Basha si një prej 59 deputetëve është i ftuar të marrë pjesë në këtë takim.
Aty ka të gjithë mundësinë e tij për të shprehur ambicien për t’u zgjedhur kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike do duhet të bëjë 18 vota, vota e 19 pro do të jetë e Gazment Bardhit.
Takimi i nesërm është për të unifikuar një axhendë të përbashkët parlamentare të gjithë bashkë si deputetë të opozitës. Ftoj kolegët të bëhen pjesë e atij takimi, do të jemi të gjithë në një sallë për të diskutuar se si ka funksionuar opozita përgjatë këtyre 2 viteve dhe për të ndërtuar një aksion politik të përbashkët”, u shpreh Bardhi në një prononcim për mediat para fillimit të seancës plenare të sesionit të ri parlamentar.