Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi mëngjesin e 31 tetorit, Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati disa orë.
Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.
Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra.
Sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.
Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.
Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.