Aktualitet

Students for Liberty vjen në Shqipëri, partner i Institutit Liberal "Pashko"

Shkruar nga Liberale
Students for Liberty vjen në Shqipëri, partner i Institutit Liberal

Më datë 5 prill 2023, Instituti Liberal i Tiranës Pashko (ILP) dhe Qendra për Fuqizim Individual, në bashkëpunim me rrjetin ndërkombëtar studentor Students for Liberty, organizuan një sesion informues me studentë në Universitetin Europian të Tiranës në lidhje me mundësitë e studentëve shqiptarë për t’u përfshirë në këtë rrjet studentor ndërkombëtar. Sesioni u drejtua nga drejtoresha e programeve të ILP, Adela Danaj, ndërsa e ftuar ishte drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Fuqizim Individual, Bjorna Hoxhallari. Gjithashtu, në një lidhje online nga Praga, menaxheri i Programeve Evropiane të rrjetit Students for Liberty, Jan Mošovský, bëri një prezantim të organizatës për studentët shqiptarë duke i ftuar të bëhen pjesë dhe të përfitojnë nga mundësitë e shumta që ofrohen aty.

Students for Liberty është një rrjet studentor pro lirisë nga e gjithë bota e cila, gjithashtu, është organizata më e madhe studentore libertariane në botë. Shtrirja e këtij rrjeti studentor edhe në Shqipëri është një hap i rëndësishëm dhe një dritare e çmuar për studentët shqiptarë për t’u përfshirë dhe për të përfituar nga mundësitë e shumta që ofron ky rrjet. Kjo organizatë studentore ka një sërë programesh ku marrin pjesë studentë dhe akademikë. Një nga synimet e këtij rrjeti është të zhvillojë aftësitë drejtuese të atyre që mbështesin lirinë. Për të realizuar ndryshimin, nuk mjafton që të biesh dakord intelektualisht me parimet e lirisë por duhet të jesh në gjendje për të ndërmarrë veprime për të realizuar ndryshimin. Kjo është arsyeja pse Students for Liberty ofron trajnime dhe mbështetje për të zhvilluar aftësitë drejtuese të anëtarëve të vet. Qëllimi është që studentët të ndihmohen që të jenë organizatorë, menaxherë, shkrimtarë, folës dhe, në përgjithësi, udhëheqës më të mirë.

Programi Koordinator Lokal i Students for Liberty është programi kryesor për përparimin aktiv të ideve të tregut të lirë dhe lirisë individuale në universitete. Përtej dhënies së njohurive rreth liberalizmit klasik, libertarianizmit dhe konceptit të lirisë, qëllimi i këtij programi është të kultivojë liderë që jo vetëm e kuptojnë, por edhe e vlerësojnë thellësisht lirinë e të tjerëve. Një program tjetër i këtij rrjeti është Students for Liberty Academy i cili ofron mundësi unike për studentët për të mësuar më shumë rreth lirisë në një mjedis të argëtues dhe social. Në këtë akademi, studentët kanë mundësi të bëhen pjesë e kurseve që variojnë që nga filozofia deri te kursi i Ekonomisë Blockchain. Gjithashtu, Students for Liberty ka një program fellowship i cili quhet Prometheus dhe i ofrohet si mundësi studentëve më aktivë dhe më të mirë të rrjetit. Në fakt, ky fellowship është një nga programet më të mirët në botë në llojin e tij, dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për studentët pasi në të kombinohen edukimi, trajnimi, dhe fuqizimi me mentorimin.

Shtrirja e organizatës Students for Liberty në Shqipëri është një ngjarje shumë e mirë për studentët shqiptarë dhe një mundësi e artë për t’u bërë pjesë e një rrjeti studentor liberal dhe libertarian botëror. Mundësitë për studentët shqiptarë në këtë rrjet janë të shumta duke përfshirë trajnimet, kurset, shkëmbimet studentore, publikimin e artikujve, etj. Për të kuptuar impaktin dhe rëndësinë e Students for Liberty, mjafton të përmendim faktin që 93 organizata sot në botë janë të krijuara nga ish studentë të këtij rrjeti. Instituti Liberal i Tiranës Pashko (ILP), si partner i Students for Liberty, fton të gjithë studentët e interesuar për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti, të kontaktojnë në adresën e emailit: info@ilp-al.org.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH