Kush do të jenë 21 kandidatët për Poetin e parë Laureat shqiptar?
Komiteti Drejtues shpall sot kandidaturat për çmimin e madh
Rudolf Marku, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Ervin Hatibi, Krenar Zejno... mund të jenë vetëm disa nga emrat kandidatë për çmimin e madh të Poetit Laureat, i cili për herë të parë do të shpallet këtë vit për letërsinë shqipe.
Një traditë e njohur kjo në shumë vende perëndimore, do të marrë jetë gjatë muajit tetor nën kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Qëllimi i këtij vlerësimi është ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e leximit të poezisë. Ky çmim do t’i akordohet një personaliteti në fushën e poezisë shqipe, i cili përgjatë një mandati dyvjeçar do të jetë në krye të një fushate publike me në fokus poezinë shqipe. Komiteti drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën letrare shqiptare, kryesohet nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustafaj dhe në përbërje të tij janë: botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, zv.Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj, dhe kritiku Agim Baçi.
Sot më 5 tetor do të bëhen publikë emrat e kandidatëve për këtë çmim. Do të jenë 21 kandidatë, emra që me vargjet e tyre kanë sjellë risi në letërsinë shqipe.
Poeti Laureat do të shpallet më 30 tetor, duke mbyllur kështu siparin e një sërë aktivitetesh kushtuar një muaji dedikuar librit. Për herë të parë QKLL do të krijojë atë që në vende të tjera quhet institucioni i Poetit Laureat, një praktikë e njohur kjo në vende si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Gjermani, Holandë etj. Qëllimi i këtij çmimi të rëndësishëm është ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë e leximit të poezisë.
Ky çmim do t’i akordohet një poeti të gjallë, me një vepër të botuar vitet e fundit që ka sjellë një risi në poezinë shqipe. Poeti Laureat do të ketë një mandat dyvjeçar e gjatë këtyre viteve ai do të jetë në krye të një fushate mbi rëndësinë e leximit të poezive, apo aktiviteteve të ndryshme me në fokus poezinë.
“Po kujtoj poetin amerikan Billy Collis që gjatë mandatit të tij botoi antologjinë ‘365 poezi’ si format xhepi, apo Robert Pinsku, një tjetër laureat i cili hartoi një antologji për nxënësit e shkollave të mesme. Laureati shqiptar do ketë programin e tij”, – u shpreh Alda Bardhyli, drejtore e QKLL.
Titulli i Poetit Laureat, u dha për herë të parë në Angli në shekullin e 17-të për përsosmërinë poetike. Titulli i ka rrënjët e tij në një traditë të lashtë greke dhe romake për të nderuar arritjet me një kurorë dafine, një pemë e shenjtë për zotin Apollo, i cili ishte mbrojtës i poetëve. Tradita e një poeti që vepron në shërbim të një sovrani britanik është e gjatë, por origjina e postit modern mund të gjurmohet te Ben Jonson, të cilit iu dha një pension nga James I në 1616.
Në mesin e këtij historiku, ka pasur edhe emra që e kanë refuzuar të qenit poet laureat.
Benjamin Zephaniah, njëri nga poetët më të shquar të Mbretërisë së Bashkuar, dy vite më parë, pati vendosur të rrijë jashtë konkurrimit për “Poetin laureat të Britanisë”, duke thënë se ai nuk ka absolutisht asnjë interes në këtë punë. “Unë nuk do të punoj për ta. Ata më shtypin, më mërzisin dhe nuk janë të denjë”, shkroi ai në “Twitter”. Zephaniah thoshte se shkruan për t’u lidhur me njerëzit dhe kurrë nuk e ka ndier nevojën për të shkuar më lart nëpërmjet kishës, shtetit ose monarkisë për të arritur me shpirt te populli. Zephaniah nuk është shkrimtari i parë që nuk pranon kandidimin si laureat i vitit. Më herët, Uendi Cope, pati bërë thirrje për heqjen e “postit”. /Gazeta Liberale