Kryesocialisti Edi Rama përpara grupit parlamentar socialist dha orientimet e fundit se si do të marrë formë lista finale e kandidatëve për deputetë në parlamentaret e 11 majit.
Duke analizuar formulën e shpalosur prej Edi Rama në listën e mbyllur me 46 vende në 12 qarqe në zonën e sigurt për të dalë deputet do jenë drejtuesit politik në total 9 pasi për 3 qarqe Durrësi, Berati dhe Shkodra, drejtohen nga kryebashkiakët. Sikurse drejtuesi politik i diasporës, Taulant Balla.
35 vendet e mbetura në listën e mbyllur do të plotësohen me deputete aktuale gra, figura të reja nga kabineti qeveritar, platforma “Deputeti që duam” dhe Diaspora.
Përjashtuar drejtuesit politik burra në listën e mbyllur, të gjithë deputetët me një mandat e sipër, praktikisht të gjithë burrat deputetë të PS do të jenë në fushëbetejën e listës së hapur. Konkurrenca kështu do të jetë jo vetëm me kundërshtarin politik, por edhe brenda familjes socialiste.
Janë 39 deputetë aktualë burra në garë në listën e hapur nëse do të përzgjidhen nga drejtuesit politikë ose ndonjëri prej tyre do t’i thotë jo vendimit të Ramës për të garuar në listën e hapur.
Vlen për t’u parë nëse kjo formulë e Ramës do të jetë e aplikueshme edhe për deputetët senatorë me tre mandate si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Petro Koçi, Paulin Sterkaj apo Damian Gjiknuri.
Vetë Rama tregoi se nuk e ka vendosur ende nëse do të kandidojë për deputet në parlamentaret e 11 Majit./TCH