Ervis Iljazaj
Partia Demokratike shpalli sot koalicionin e saj të quajtur ”Për Shqipërinë Madhështore”. Por përtej emrin të koalicionit që frymëzohet nga Trump ’’Make America Great Again", i cili ka dhe ky vend për debat, ajo që ishte prolemi i vërtetë ishin pikërisht pjesëtarët e koalicionit. Në fakt Partia Demokratike ka bërë koalicion me disa individë, ku disa prej tyre janë dhe qesharakë, dhe jo me parti politike.
Shumë prej atyre partive politike me të cilat Partia Demokratike shpalli koalicionin kanë pushuar së qeni të tilla. Përveç Partisë së Lirisë, e cila mund të ketë ende ndonjë votë, të tjerat kanë kohë që gjallojnë në listat e Partisë Demokratike dhe asgjë më shumë se kaq. Shumica prej tyre, ndoshta të gjitha, nuk kanë më struktura politike, nuk kanë më organizime politike që të plotësojnë kushtet për t'u quajtur parti politike.
Në fakt, ajo që pritej nga Partia Demokratike ishte një koalicion me shoqërinë shqiptare, dhe jo me disa individë që kanë pothuasje 30 vjet që janë në skenën politike dhe në zgjedhjet e fundit kanë përfituar nga logoja e Partisë Demokratike për t'u zgjedhur si deputetë. Nuk ka dyshim se Sali Berisha është treguar zemërgjerë me ta. Dhe këtë gjë e ka bërë vetëm për faktin se këta persona që drejtojnë këto parti i kanë qëndruar besnikë atij në skenën publike politike shqiptare, në vitet e fundit kur ai ka qenë në vështirësi të mëdha. Dhe ndoshta ky shpërblim, është thjeshtë shenjë mirënjohjeje dhe nuk ka një logjikë elektorale.
Pas 12 viteve në opozitë, pas një pushteti të konsumuar të qeverisë, ajo që pritej nga Partia Demokratike ishte një lloj tjetër koalicioni, më frymëzues, me i hapur dhe me njërëz të rinj. Lista e vendeve të sigurta në Tiranë duket tashmë e plotësuar me aleatët e Partisë Demokratike dhe politikanë të saj që janë njërëz të stërkonsumuar të politikës. Partia Demokratike kësaj here kishte detyrimin dhe mundësinë për t'ju paraqitur shqiptarëve njërëz të rinj, personazhe të spikatur të jetës publike, profesionistë që aspirojnë të kontribuojnë për Shqipërinë. Dhe më sa duket, në Tiranë të paktën nuk do ta realizojë dot. Madje, edhe ata pak të rinj që dolën fitues në primare, me të gjitha gjasat nuk do të jenë në vende të sigurta për t'ja lënë vendin njerëzve që vetëm kanë përfituar politikisht për shumë kohë nga Partia Demokratike pa i sjellë asaj asgjë në këmbim.
Përtej këtij fakti, Partia Demokratike dhe Sali Berisha nuk bënë asnjë hap konkret për të afruar rreth saj partitë e reja politike, të cilat me të gjitha gjasat kanë një pëlqyeshmëri më të lartë se sa njerëzit që Berisha ka afruar në listën e PD-së. Ka patur ndonjë thirrje sporadike publike të Berishës për bashkim opozitar, por asgjë konkretë në këtë drejtim.
Kështu që, Partia Demokratike në zgjedhjet e 11 majit do t'i ofrojë shqiptarëve të njëjtit njerëz dhe të njëjtën retorikë pa ndryshuar asgjë edhe pse ka 12 vite opozitë, edhe pse premton ndryshim për ta bërë Shqipërinë Madhështore, të cilën e premton me njerëz që kanë patur në dorë dekada me radhë për ta bërë dhe se kanë bërë dot. Përkundrazi, kanë qenë problemi i zhvililmit të saj.