Punimet e Kuvendit nisën pasditen e kësaj të hëne me 1 minutë heshtje në nder të ish deputetit të PS-së, Andis Harasani i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Andis Harasani, deputet në dy mandate i PS-së, u largua në 2013 drejt SHBA, kur PS erdhi në pushtet.
Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi PS-në se Andis Harasani u përzu nga këta të fundit, kur erdhën në pushtet në vitin 2013. Kryetarja e Kuvendit tha se nuk mund të shfrytëzohet diçka e tillë për qëllime elektorale.
“Aktet e nderimit duhet të jenë të plota dhe të sinqerta. Andis Harasani i përkiste një pleiade politikanësh të rinj. I shkolluar mirë, i kyçur në proceset demokratike që në fillim. Nuk mund të mohohet fakti se ju e përzutë atë dhe duhet të kërkoni ndjesë. E përzuri Rilindja. Një politikan që rininë ia kushtoj ndryshimit të Shqipërisë. Harasanin e kanë nderuar se mbeti socialist besnik i atyre parimeve qe besonte deri ditën e fundit. Ai nuk pranoi kurrë të bënte komprosmis me të keqen siç bëtë ju”, tha në fjalimin e tij Berisha.