Politikë

Rama: Kontrata 6 mln dollarë e PD-së është në shkelje flagrante me ligjet e Republikës së Shqipërisë

Shkruar nga Liberale

Rama: Kontrata 6 mln dollarë e PD-së është në shkelje

Kryeministri Rama bëri të ditur se për këtë situatë u detyrua të reagojë edhe vetë familja e Presidentit Trump 

Kryeministri, Edi Rama ka komentuar gjatë një takimi elektoral në Petrelë (Tiranë) edhe kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA me vlerë 6 milionë dollarë.

Rama ishte i drejtpërdrejtë në lidhje me këtë kontratë duke deklaruar se “ajo është në shkelje flagrante me çdo ligj të Republikës së Shqipërisë”.

“Dje shqiptarët kanë parë një kontratë të pabesueshme të kënetës me një grup ‘magjistarësh’ amerikanë, siç i quajnë. 6 milionë dollarë janë deklaruar, në bazë të ligjit amerikan, se duhet të deklarohen ose ndryshe është krim shumë i rëndë. Ato janë deklaruar si pagesë nga ana e kënetës për të pastruar damkën nga balli i ‘bufit të kënetës”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, është thënë që kjo kontratë financohet nga një grup patriotësh, të cilët nuk dihet kush janë, nuk dihet sa janë.

“Kjo më kujton vjehrrat dhe baxhanakët dhe krushqit e atyre prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që, kur kaluar procesin e vetingut nuk kishin si justifikonin apartament e lloj-lloj pasurish dhe thoshin se këto m’i ka dhuruar vjehrra, këto na i ka lënë baxhanaku. Domethënë, nga ai proces u krijua një perceptim sikur vjehrrat ishin gjel që bënte ‘vezë të arta’. Njësoj edhe me këta patriotët”, tha Rama.

Sipas tij, edhe sikur të ekzistojnë këta patriotë, që, sipas tij, një mendje fare normale e dyshon, “kjo të kujton edhe shokun tonë Lulin që e vunë përpara të shkretin për 500 mijë dollar, ndërkohë që këtu dolën 6 milionë dollarë”.

“Kjo është në shkelje flagrante me çdo ligj të Republikës së Shqipërisë. Ligji i Republikës së Shqipërisë është shumë i qartë se sa donacione mund të marrësh, sa financim mund të marrësh etj. Nuk është aq e thjeshtë sa ç’u bë. Jo për ne, se ne e dimë që s’ishte dhe s’është fare aq e thjeshtë, por sa çfarë ishte për atë pjesë të popullit që do të besojë tek të gjithë përrallat e ‘bufit të kënetës’. Nuk qenka aq e thjeshtë sa ç’u bë që këtu qenka një komplot ndaj një burri të ndershëm që papritur e pa kujtuar u ngritën SHBA-të dhe e damkosën sepse unë, Edi Rama, me Sorosin bëmë një konspiracion dhe ky i shkreti viktimë e pafajshme. Dhe në momentin që ndryshoi administrata në SHBA gjithçka do të çlirohej, do të pastrohej, do rregullohej edhe ky buf do shfaqej si pëllumb i bardhë i gatshëm për ta marrë përsëri në krahët e tij, siç na mori dy herë, një herë përfunduam në rrënojat e piramidave dhe një herë tjetër përfunduam në buzë të humnerës në 2013-ën, mu në prag të një kolapsi total financiar”, tha Rama.

Rama, në takimin me mbështetësit e PS-së në Petrelë, komentoi edhe akuzat e ngritura së fundmi në media të caktuara për një përpjekje nga ana e tij për t’u takuar me djalin e Presidentit të SHBA, Donald Trump, në Beograd.

Rama tha se pas personave që po përdorin një narrativë të tillë qëndron kreu i opozitës.

“Sot kishte futur në lojë, nëpërmjet një “çyryku” që mban afër, familjen e presidentit Trump. Sipas tij, unë paskam bërë përpjekje për të shkuar në Beograd, prandaj dhe nuk vajta për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës në Vatikan. Po prisja të shkoja në Beograd, ku do të shkonte djali i presidentit Trump, aty me vëllaun tim, Vuçiç do futesha aty si “fanti spathi” e ta përshëndesja. Po kjo nuk u bë e mundur dhe dështoi”, tha Rama.

“Por kur sheh se detyrohen njerëzit e familjes së presidentit të SHBA të mohojnë këtë çmenduri, të vjen turp se në fund të ditës, atje nuk e di njeri, e nuk e njeh njeri, përveç këtyre që marrin 6 milionë dollarë për ta njohur. Me 6 milionë dollarë, vjen “latifi” e na e prezanton të gjithëve, vjen “latifi” pa problem fare”, u shpreh Rama.

Problemi është, vijoi Rama, se pa ato 6 milionë dollarët as nuk e di njeri kush është.

“Çfarë u mbetet në mend, u mbetet Shqipëria. Ky është një udhëheqës shqiptar. Kjo është një forcë konservatore shqiptare, një çmenduri totale. Nuk di njeri, të qeshë apo të qajë”, vijoi më tej Rama.

Gjatë fjalës, Rama theksoi se papunësia ka rënë në nivelin më të ulët, duke shënuar një rënie njëshifrore prej 8.8% në vitin 2024.

“Sot kemi nivelin më të madh të uljes së papunësisë. Në 2024 pati rënie njëshifrore, 8.8%. Këto nuk janë piktura, nuk janë opinione. Janë shifrat e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë. Kur ne morëm detyrën , ishin 1.023.000 të punësuar, tani kemi 1.327.000 të punësuar. Janë 300 mijë e pak më shumë apo nuk janë? Kjo është ajo që kemi thënë dhe ajo që kemi bërë. Këto janë të dhënat reale. Sektori privat vijon të rrisë pagat. Në shtet, jemi në 1000 euro dhe projeksioni është 1200 euro.”, tha Rama.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH