Partia Demokratike i është drejtuar sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me procesin zgjedhor të 11 majit, duke ngritur shqetësimin se mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit.
Sipas një kërkese zyrtare të siguruar nga gazetarja Elda Menga e Top Channel, PD kërkon nga KQZ nisjen e një hetimi administrativ dhe verifikim të përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë në shkallë vendi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar ndaj kërkesës, duke sqaruar se 1,935,328 fletë votimi të papërdorura janë numëruar sipas procesverbaleve zyrtare të çdo qendre votimi. KQZ shton se këtij numri i duhen shtuar edhe fletët e skeduara në raportet përkatëse, duke lënë të hapur mundësinë për një sqarim të mëtejshëm.
PD ngul këmbë se mungesat janë të konsiderueshme dhe kërkon transparencë të plotë për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.