Kryeministri i vendit Edi Rama, ka paralajmëruar ditën e sotme se së shpejti priten ndryshime në ligjin e arsimit të lartë.
Në fjalën e tij në Raportin e Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, Rama u shpreh se këtij ligji “i janë bërë vitet për t’u riparë”, duke shtuar se transformimi do të risë kërkesën sepse pajisja me diplomë tashmë do të jetë një garanci.
Ndër të tjera Rama bëri dhe një premtim për të gjithë ata që do ndjekin studimet në Universitetin Bujqësor, duke thënë se diplomat e këtij institucioni arsimor do të jenë të barasvlefshme me ato të Vjenës.
“Institucioneve që administrojnë arsimin e lartë dhe ato përkatëse të qeverisë dua t’i falënderoj me shumë mirënjohje anëtarët e bordit. Rishikim i ligjit të arsimit të lartë të cilit i janë bërë vitet për t’u riparë por edhe e shumë të rejave që kanë ndodhur në botën akademike.
Dua të ndaj me ju një eksperiencë të jashtëzakonshme, të shikoni eksperiencën e Universitetit Bujqësor të Tiranës me Universitetin e Vjenës që është një laborator për të kuptuar qoftë distancat që na ndajnë nga ekselencat evropiane apo mekanizmat që mund të afrojnë me eksperiencat amerikane. Diplomat e Universitetit Bujqësor do të jenë të barasvlefshme me ato të Vjenës. Ky transformim i universitetit do të rrisë kërkesën, se pajisja me diplomat do të jetë një garanci. Procesi i integrimit kërkon një ndryshim përmbajtësor në ligjin e arsimit të lartë, por edhe në qasjen menaxheriale të universiteteve.”– tha Rama.