24 orë pas mbylljes së votimeve për zgjedhjet e 11 majit 2025, deri më tani janë numëruar rreth 70% e votave, ku PS ka arritur të sigurojë 82 mandate, kundrejt 52 të PD.
PS është drejt një mandati të katërt radhazi, madje me një rezultat edhe më të thellë se në tre zgjedhjet e kaluara.
Por a do ta njohë PD humbjen dhe a do të mbajë kush përgjegjësi për rezultatin më të dobët të opozitës në histori.
Sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka tha për Top Channel se PD nuk do t’i njohë zgjedhjet e 11 majit, duke pretenduar se PS ka manipuluar votat. “Ne këto zgjedhje nuk mund t’i njohim”, tha Noka.
“Kur të arrish në këtë konkluzion duhet të sqarosh qytetarët se që në 2017 deri tani Rama dhe narkoregjimi i tij kanë ardhur vetëm duke u instaluar më fuqishëm, duke forcuar financiarisht makinerinë e tij elektorale. A ka pasur në Shqipëri votë të lirë?” theksoi ai.
“Kurrë nuk dorëzohemi ne. Opozita bën një pjesë të detyrës së saj për të mbrojtur demokracinë por nuk mundet e vetme ta mbrojë atë. Vota në kuti nuk është prekur, dhe shpreh mirënjohje për komisionerët dhe numëruesit që po numërojnë çdo votë të demokratëve. Që unë të bëj një ushtri patronazhistë dhe të ndjek çdo qytetar. Ku është SPAK, në diasporë u është kërkuar që t’ua çojnë me foto“, tha Flamur Noka.
PD duket se pas mbylljes së votimit nuk do të njohë rezultatin ashtu siç edhe ka ndodhur sa herë ka humbur në zgjedhjet e kaluara me përjashtim të vitit 2013 kur e dorëzoi pushtetin paqësisht.
Të drejtën e votës e kishin 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit dhe 114,642 zgjedhës ishin votues për herë të parë. Sa i takon diasporës, vetëm 78% e atyre që u regjistruan morën pjesë në votim. 191 912 zarfe kanë mbërritur në Shqipëri nga 254 935 totali.
Në zgjedhjet e 11 majit morën pjesë në votime rreth 42 për qind e votuesve.
Në total, 7 persona u arrestuan në gjithë vendin për fotografim të votës. Mediat e huaja i konsideruan të qeta dhe me incidente sporadike zgjedhjet, që sipas tyre, nuk mund të ndikojnë në rezultat.