Kreu i partisë “Nisma Shqipëria Bëhet”, Altin Lapaj, ka kërkuar zyrtarisht rinumërimin e votave në qarqet Fier dhe Vlorë, duke ngritur akuza për manipulim të rezultatit zgjedhor. Në një reagim publik në rrjetet sociale, ai deklaron se ka mospërputhje mes votave në kuti dhe atyre të shënuara në procesverbale.
Lapaj njoftoi se kërkesa për rinumërim do të dorëzohet sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe paralajmëroi kallëzim penal për çdo person që ka qenë i përfshirë në manipulimin e votave.
Sipas tij, pamjet filmike të procesit të numërimit – të cilat u morën me vonesë nga KQZ – tregojnë qartë raste konkrete ku janë shtuar vota për Partinë Socialiste dhe janë hequr vota nga Nisma SHB dhe parti të tjera. Në disa raste të tjera, vota të pavlefshme janë futur në llogaritë e partive.
Lapaj përmendi disa kuti konkrete ku janë konstatuar parregullsi, përfshirë:
Kutia 2831/00 në Fier: Shtuar 4 vota për PS, hequr 2 për Nismën.
Kutia 3017: Dy vota të pavlefshme janë numëruar si të vlefshme për PS.
Kutia 2997/00: Shtuar vota për PS dhe PD.
Kutia 288/01: PS përfiton dy vota, një hiqet nga një tjetër parti.
Kutia 2866/01 dhe 2862/01: Nismës i janë hequr vota, ndërsa janë shtuar vota të pavlefshme.
“Edhe nëse nuk i kemi ato mandate, një votë e vetme po të jetë prekur, do të ndjekim penalisht përgjegjësit,” shkroi Lapaj, duke nënvizuar se diferenca e mandateve me PS në këto dy qarqe është shumë e ngushtë.