Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim me shqiptarët në Itali. Në fjalën e tij para emigrantëve, ai falenderoi Italinë për ndihmën që i ka dhënë kombit shqiptar.
Një falënderim Berisha kishte edhe për autoritetet italiane, ndërsa u ndal tek Silvio Berluskoni, për të cilin tha se mbetet i pavdekshëm.
Berisha kujtoi bisedat me ish kryeministrin italian, që sipas tij sa herë e takon i thoshte “se me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer”
“Në 34 vitet fundit Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme. Italia është vendi ku shqiptarët mësuan më shumë se kudo tjetër.
Ndaj dhe unë duhet të përulem para këtij kombi mik, para të gjithë italianeve që pritën shqiptarët. Një mirënjohje të veçante kam për autoritetet e këtij vendi. Nuk harroj kurrë takimet e mia me Silvio Berluskonin. Në cdo takim do të më thoshte Sali me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer.
Me qeverinë italiane kemi firmosur dhjetëra marrëveshje, bashkëpunim në disa fusha, siç është edhe gazsjellësi Trans-Adriatik. Projektet e ardhshme do të jenë edhe më të mëdha. Këtu në Romë është Selia e aleatit më të vjetër të kombit shqiptar dhe ky aleat është Vatikani. I shpreh mirënjohje të fuqishme Vatikanit, Atit të Shenjtë Papa Franceskut për ndihmën e çmuar që i japin kombit shqiptar.
Udhëtimi drejt diasporës dhe emigracionit është në thellësinë e tij një udhëtim drejt dhimbjes, sakrificës, drejt mallit – udhëtim drejt atyre që e nisën jetën e tyre në zero, udhëtim drejt atyre të cilët u ndanë në lot me nën dhe prindërit e tyre… Udhëtim drejt atyre të cilët nuk kuptonin një fjalë të vetme nga gjuha e vendit ku shkonin, udhëtim që i detyronte dhe i përballte me të panjohura të mëdha. Ky udhëtim është udhëtimi i njerëzve që triumfojnë, që mposhtin ccdo vështirësi, udhëtim që me djersën e tyre ndërtuan një jetë të tërë, kontribuojnë në vendin e tyre”, tha Berisha në fjalën e tij.