Garë e ashpër brenda PD për mandatin e Tiranës nxori në pah gabimin fatal të kësaj partie me sistemin zgjedhor. Dy kandidatët e saj Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku kanë marrë rreth 10 mijë vota secili, kur janë ende gjysma e kutive pa u numëruar, por sistemi i ka vendosur fatkeqësisht në një garë të padrejtë, të padenjë, dhe mizorisht njëri prej tyre është i detyruar të pranojë humbjen. Nga ana tjetër pjesa më e madhe e 139 deputetetëve që do të shkojnë në Kuvend kryesisht nga listat e mbyllura nese do të kërkonin vota individuale mund të mos merrnin as 100 vota. Sistemi zgjedhor i miratuar nga PS dhe PD i ka favorizuar ata që s'kanë vota, me pëlqimin e kryetarëve, gjë që penalizon partinë në opozitë.
Nga numërimi i 713 kutive, Jorida Tabaku ka fituar terren ndaj Ilir Alimehmetit, në mbrëmje, duke kaluar në avantazh me 664 vota.
Deri me tani Jorida Tabaku ka grumbulluar 10160 vota, ndërsa Ilir Alimehmeti 9496 vota.
Ky rezultat mund të ndryshojë deri në hapjen e kutisë së fundit, pasi numërimi vijon ende. Gara mes Tabakut dhe Alimehmetit zhvillohet për mandatin e 13 të Partisë Demokratike në Tiranë. Ndërkohë shumica e deputetëve socialistë nuk morën as pesë mijë vota nga listat e hapura.
Gara mes tyre zbuloi se është e padrejtë në dy aspekte, e para për shkak të sistemit elektoral dhe e dyta vlerësimit që u është nga vetë partia çka nxjerr në pah edhe një nga arsyet e forta të dështimit të PD në zgjedhje. Është tashmë fakt që njerëzit e saj më të pëlqyer nga publiku detyrohen të garojnë dhe të eliminojnë njëri-tjetrin në vend që të eliminonin kundërshtarin.
Kandidati demokrat për deputet në Tiranë, Ilir Alimehmeti, për garën me Jorida Tabakun foli sot në studion e News 24.
Lidhur me këtë demokrati tha se është ende herët për rezultatin final, pasi kanë mbetur ende shumë vota pa u numëruar përfshirë votën e diasporës.
Sakaq ai theksoi se ka punuar jo vetëm që të sigurojë votën gatë ditës së zgjedhjeve por edhe për ta mbrojtur atë gjatë procesit të numërimit.
"Duhet të presim sepse jemi në proces dinamik, votat po numërohen ende ka shumë kuti për të votuar. Por një falënderim të veçantë ia bëj të gjithë atyre numëruesve, vëzhguesve që po punojnë për një rezultat të shpejtë të pastër, transparent. Unë gjithmonë flas kur rezultatet të jenë finale.
Kam mendimin se numërimi do vazhdojë deri nesër. Nuk kanë mbaruar ende numërimi i votave nga mandati, kështu që në këtë moment kjo është leximi i votës. Ne kemi marrë impenjim jo vetëm për të kërkuar votën por për ta mbrojtur atë gjatë numërimit".
Në total janë 954 kuti në bashkinë e Tiranës.