Drejtuesja politike e diasporës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli në një konferencë për mediat u shpreh se po bëhet presion brenda administratës për votën në 11 Maj.
Topalli gjithashtu theksoi se nuk ka dyshim që pala tjetër po përdor mjete të dënueshme dhe jashtë standardeve të zgjedhjeve.
“Po fotografojnë votën e tyre që i kërkohet përmes një presioni që ju bëhet familjarëve të tyre brenda administratës. Nuk është rastësi se ky presion është i jashtëzakonshëm, nuk është rastësi që në raportin e djeshëm të OSBE/ODIHR përmendet përdorimi i aseteve publike në përmasa të palejueshme, të tmerrshme në fakt, apo përdorimi i administratës përmes një presioni dhe arrogance që nuk ka ndodhur kurrë në tre dekada. Përdorimi i parave edhe nga pushteti lokal, edhe për të çuar autobusa. Nuk ka dyshim që pala tjetër po përdor mjete të dënueshme dhe jashtë standardeve të zgjedhjeve, por pavarësisht përdorimit të administratës dhe parasë mesa duket diaspora dhe shqiptarët në Shqipëri e kanë në ndërgjegjen e tyre të qartë se çfarë duhet të bëjnë në 11 Maj dhe votimi në numrin 1 është gjëja më e bukur që mund të shohim në 11 Maj”, u shpreh Topalli.
Sa i përket problemeve që janë hasur me votimin nga diaspora, Topalli i bën thirrje KQZ-së që t’i kërkojë DHL-së që të përmbushë detyrimet e saj.
“Unë gjatë kësaj periudhe jam përpjekur të mos flas shumë për problemet që ka pasur votimi në diasporë pasi detyra ime ëhstë t’i inkurajoj, takoj, t’ju bëj thirrje të votojnë numrin 1 Partinë Demokratike sepse ata mund të kthehen në një fuqi elektorale dhe në një faktor politik për të ndryshuar çdo gjë në vendin tonë. Mbi të gjitha përveç se me ndryshu qeverisjen e forvcave politike, me ndalu largimin e mëtejshëm të shqiptarëve se për ndryshe për një dekadë ne nuk do të ekzistojmë më.
Ndërkohë që juristët e PD pranë KQZ kanë shënuar dhe kanë mbajtur shënim çdo informacion që ne marrim apo kryetar të qarqeve kanë marrë dhe ja kanë referuar KQZ. Mendoj se ky është një moment kyç i votimit të diasporës dhe prandaj jam këtu dhe për t’i bërë thirrje serioze KQZ që t’i kërkojë DHL që të përmbushë detyrimet e tyre. Çdo përpjekje e bërë për të mos marrë zarfin është një cënim i të drejtës së votës dhe ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj. Ky është një ndër reagimet që ne kemi”, tha Topalli.