Politikë

INTERVISTA ELEKTORALE/ Mardalena Preçi: Më 11 maj pres që qytetarët të japin sinjalin se Shqipëria po zgjohet

Shkruar nga Liberale

INTERVISTA ELEKTORALE/ Mardalena Preçi: Më 11 maj pres që

Intervistoi: Aranit Muraçi

Mardalena Preçi është kandidate e “Shqipëria Bëhet” dhe garon në qarkun e Elbasanit. Me formim në shkencat mjekësore, ajo aktualisht ndjek studimet për stomatologji. Me përvojë si vullnetare në Spitalin e Traumës, Mardalena Preçi është e përkushtuar ndaj shëndetit publik dhe dinjitetit njerëzor. Beson se kujdesi shëndetësor dhe arsimi duhet të jenë të aksesueshëm për të gjithë. Përtej sloganit që përfaqëson partinë e saj, ajo si shumë të rinj beson se Shqipëria bëhet dhe një e ardhme më e  mirë mund të arrihet përmes një politike më të mirë. “Përmes një politike të denjë ku politikanët të mos kenë  interesa për të mbrojtur, por ide për të ndarë”, siç thotë ajo për “Liberale”, në rubrikën “Intervista elektorale”. Mardalena Preçi ndan pikëpamjet e saj se përse vendosi të kandidojë në këto zgjedhje, çfarë synon dhe pritshmëritë pas 11 majit:

Mardalena, sa shanse besoni se jep për partitë e tjera dominimi historik i dy partive të mëdha para zgjedhjeve të 11 majit?

Dominimi i tyre ka qenë i gjatë, por jo i përjetshëm. Sot, gjithnjë e më shumë njerëz duan të dëgjojnë alternativa të reja. E shoh si një moment ku qytetarët kanë mundësinë të zgjedhin jo vetëm mes të vjetrës dhe të rejtës, por mes rutinës dhe shpresës. Ne nuk pretendojmë gjithçka, por ofrojmë diçka ndryshe dhe të ndërtuar me ndershmëri.

Pse zgjodhët të përfshiheni në “Shqipëria Bëhet” dhe pse garoni në qarkun e Elbasanit?

Sepse besoj që ndryshimi nis nga njerëzit e zakonshëm që nuk heqin dorë nga shpresa. Si mjeke e re në formim, e ndiej detyrimin të mos qëndroj spektatore, por të kontribuoj. “Shqipëria Bëhet” është një nismë që përfaqëson vlera dhe integritet. Elbasani është vendi im – këtu kam familjen, rrënjët dhe përgjegjësinë për të bërë diçka që ka kuptim.

Pse njerëzit duhet të votojnë për ju dhe jo për dikë tjetër?

Sepse nuk kam interesa për të mbrojtur, por ide për të ndarë. Sepse vij nga jeta reale, jo nga strukturat e vjetra politike. Sepse më intereson më shumë të përfaqësoj, sesa të pushtetoj. Vota për mua është një mundësi për qytetarët të thonë: “Po, ne besojmë se politika mund të jetë ndryshe.”

Si ju kanë pritur qytetarët në fushatë? A janë të lodhur nga politika?

Po, janë të lodhur, shpesh edhe të zhgënjyer. Por ka dhe një gatishmëri për të dëgjuar dikë që nuk flet me sloganë, por me zemër. Ata nuk kërkojnë perfeksion – kërkojnë ndershmëri, përulësi dhe dëshirë për të punuar. Dhe unë këtë jam përpjekur të sjell në çdo takim.

Nëse do të ketë manipulime, si do të veproni?

Ne nuk jemi të papërgatitur. Kemi ngritur një rrjet mbrojtjeje të votës, me vëzhgues dhe qytetarë që besojnë te transparenca. Nuk do të lejojmë që zëri i njerëzve të shtypet. Nëse ndodhin shkelje, do të reagojmë institucionalisht dhe me dinjitet, pa viktimizim, por me vendosmëri.

Çfarë prisni nga zgjedhjet e 11 majit?

Pres një syth të parë të shpresës. Nuk pres që gjithçka të ndryshojë brenda natës, por pres që qytetarët të japin sinjalin që Shqipëria po zgjohet. Dhe ky mund të jetë një fillim i mrekullueshëm.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH