Mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi ka dështuar për herë të tretë.
Kjo për faktin se anëtarët e mazhorancës nuk janë paraqitur sërish në mbledhjen e cila ishte parashikuar të mbahej këtë të martë në orën 10:30, ku edhe pritej që të miratohej plani i hetimit 3 javor, si edhe kërkesat për informacion.
Theksojmë se për të tretën herë radhazi anëtarët e mazhorancës kanë vendosur të mos marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi.
Kujtojmë se në mbledhjen e pak ditëve më parë, përmes një shkrese zyrtare, Partia Socialiste i është përgjigjur opozitës, pas bojkotit, duke deklaruar se Komisioni Hetimor nuk ka arsye të mblidhet deri në hartimin e këtij plani hetimor.