Politikë

Berisha premton rritje drastike të pagave dhe pensioneve: "Brenda 100 ditëve të para, rroga minimale 500 euro dhe dyfishim pensionesh"

Shkruar nga Liberale.al
Berisha premton rritje drastike të pagave dhe pensioneve: "Brenda 100

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar zyrtarisht një pjesë të programit ekonomik të PD-së, duke bërë një zotim të fortë, rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve në Shqipëri, në nivel të barabartë me ato të vendeve të tjera të Ballkanit.

Në një fjalim të mbajtur para mbështetësve të tij, Berisha theksoi se qeveria e ardhshme e drejtuar nga PD do të vendosë brenda 100 ditëve të para një rrogë minimale prej 500 euro, si dhe do të dyfishojë pensionet për të gjithë përfituesit aktualë.

"Ky program fillon me zemrën e dhimbsur, fillon me dhemshurinë," tha Berisha, duke vendosur theksin tek shtresat më të prekura të shoqërisë: pensionistët, të papunët, përfituesit e ndihmës ekonomike dhe studentët me bursa.
Sipas tij, fondet për këtë plan ambicioz do të sigurohen nga riorientimi i buxhetit publik dhe lufta kundër korrupsionit. Ai akuzoi qeverinë aktuale për shpërdorim të miliarda eurove nga taksat e qytetarëve, duke përmendur se vetëm 16 milionë euro janë parashikuar këtë vit për 870 mijë pensionistë.

"Paratë janë të qytetarëve. Detyra jonë është t'ua kthejmë," deklaroi Berisha, duke shtuar se në vitin 2013 pensionet dhe rrogat në Shqipëri ishin më të larta se në shumë vende të Ballkanit.
Ai solli shembuj konkretë të përmirësimeve në vendet fqinje si Mali i Zi dhe Kosova, ku sipas tij qeveritë kanë rritur ndjeshëm përkrahjen për pensionistët dhe rrogëtarët, ndërsa në Shqipëri kjo përkujdesje ka munguar.

Me tone kritike ndaj kryeministrit Rama, Berisha theksoi se qeveria aktuale ka humbur çdo ndjeshmëri ndaj shtresave në nevojë dhe e cilësoi si "të pashpirt" faktin që, sipas tij, ka lënë vetëm një shumë simbolike për pensionistët në një buxhet vjetor prej 8 miliardë eurosh.

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH