Zjarri masiv që përfshiu stallën e fermerit Gjin Toma në fshatin Barbullojë të Lezhës, ka shkaktuar dëme të mëdha.
Flakët që shpërthyen rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke përfshirë gjysmën e stallës ku ndodheshin kryesisht bagëti të imëta.
Fermeri nuk arriti të ndërhynte për të shpëtuar kafshët, ndërsa për shuarjen e flakëve u deshën pesë mjete zjarrfikëse.
Gjin Toma e cilëson dëmin katastrofik, duke fajësuar rrjetin elektrik si shkaktarin kryesor të zjarrit.
Ai thotë se mund ta rindërtojë stallën vetëm nëse merr mbështetje, pasi nga tufat e shumta që kishte, i kanë shpëtuar vetëm një pjesë e madhe e lopëve dhe një dele e vetme.
Ndërkohë, shërbimi veterinar në Lezhë ka asistuar sot në groposjen e bagëtive të ngordhura. Rreth 311 bagëti të imëta dhe 11 gjedhë janë djegur plotësisht në stallën e Gjin Tomës.