Altin Morina, një ish-punonjës i Policisë së Shtetit, rezulton ndër emrat e përfshirë në mega-operacionin “Ura”, sipas dosjes së fundit të siguruar nga autoritetet hetimore. Ai dyshohet për bashkëpunim me grupe kriminale, duke u kthyer sërish në vëmendje për aktivitet të paligjshëm.
Morina ishte arrestuar më 4 prill 2025 nga SPAK, për një tjetër çështje penale, por hetimet e reja zbulojnë një përfshirje të re në një rast të ndarë nga ai i mëparshmi.
Operacioni “Ura”, i ndërmarrë nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe strukturat vendore të rendit, ka shënjestruar një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Përfshirja e ish-efektivëve të policisë si Morina, sipas burimeve, e rëndon më tej situatën, duke shtuar dyshimet për mbështetje të strukturave shtetërore ndaj veprimtarisë kriminale.Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet kanë nën vëzhgim edhe persona të tjerë të dyshuar për lidhje të ngushta me rrjetet e trafiqeve.