Policia italiane në Firence ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, një burrë 25 vjeç dhe një grua 38 vjeçe, pasi u kapën me një sasi të madhe droge dhe para të gatshme. Të dy dyshohet se ishin të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Pas një hetimi të policisë, efektivët vëzhguan burrin teksa ai shkoi në banesën e gruas, dhe doli pak minuta më vonë me një çantë. Ai e vendosi çantën në makinë duke parë me kujdes përreth, gjë që ngjalli dyshime. Policia ndërhyri menjëherë dhe gjatë kontrollit, gjeti në çantë gjashtë pako të mbështjella me plastikë blu me mbishkrimin “357”, që rezultuan të ishin kokainë.
Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe gruaja 38-vjeçare, e cila u përpoq të largohej me shpejtësi, por u ndalua nga policia.
Gjatë kontrollit në banesë, u gjetën edhe pako të tjera me kokainë të fshehura në një dollap, si dhe 11,450 euro të fshehura në një kasafortë pas një pikture. Në total, policia sekuestroi rreth 23 kilogramë kokainë, të ndara në 20 pako (“bukë”).
Të dy personat u dërguan në burgun e Sollicciano në pritje të gjykimit.