Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku dy adoleshentë, 14 dhe 15 vjeç, janë konfliktuar dhe njëri prej tyre ka mbetur i plagosur me thikë. Ngjarja ka ndodhur në një rrugicë të fshatit, ku 14-vjeçari e ka goditur shokun e tij me thikë në bark dhe shpatull. Fatmirësisht, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim në spital.
Të dy djemtë kishin pasur konflikte edhe më parë për arsye të vogla. Autori ka thënë se ishte ngacmuar me fjalë dhe për këtë arsye ka vepruar në atë mënyrë.
Pas ngjarjes, nëna e 14-vjeçarit, Çelnike Plaka, ka folur për mediat. Ajo është shprehur se nuk e kishte ditur çfarë kishte ndodhur deri kur njerëzit në rrugë i treguan. Ajo tha se djali kishte qenë i shqetësuar dhe se pas ngjarjes nuk ishte kthyer menjëherë në shtëpi, por kishte shkuar te gjyshja.
Sipas saj, djemtë ziheshin shpesh, edhe pse familjet kishin biseduar dhe kishin rënë dakord që t’i mbyllnin konfliktet. Nëna tha se nuk kishte parë nëse djali kishte marrë ndonjë mjet nga shtëpia. Policia ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje të miturin, i cili tha se kishte përdorur një thikë të vogël që më pas e kishte hedhur nga frika.