Kronikë

DETAJE nga ngjarja tragjike në Gramsh: Dy të rinj humbën jetën gjatë punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Holtës

Shkruar nga Liberale

DETAJE nga ngjarja tragjike në Gramsh: Dy të rinj humbën

Shembja e një masivi gurësh gjatë punimeve për ndërtimin e një kanali ujëmbledhës për një hidrocentral në Holtë të Gramshit i shkaktoi vdekjen dy punëtorëve, një 22-vjeçar nga Mati që drejtonte punimet dhe një 32-vjeçar banorë i zonës. 7 viktima në punë nga 14 prilli.

Një masiv dheu dhe gurësh është shembur, mbi përroin e Holtës rreth 3 km nga njësia administrative Poroçan duke zënë poshtë dy punonjës të një  firme që po punonin për hapjen e një kanali ujëmbledhës për një hidrocentral të planifikuar në zonë.

“Në fshatin Holtë gjatë punës në një kantier ndërtimi dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur një masiv shkëmbor dhe për pasojë kanë humbur jetën dy të rinjtë të moshës 22 dhe 32 vjeç”, njoftoi policia.

BIRN mësoi se nga kërkimet e zhvilluara nga zjarrfikësit fillimisht është nxjerrë trupi i pajetë i 32 vjeçarit Egzon Lleshi, që ishte poshtë një masivi më të vogël gurësh dhe dherash. Ndërsa më pas është nxjerrë trupi i 22 vjeçarit Abaz Basha që mendohet se ishte përgjegjës për punimet me orgjinë nga Burreli.  32-vjeçari banor i zonës, baba i dy fëmijëve punonte pranë kësaj firme për ndërtimin e hidrocentralit, i cili e merr ujin nga përrenjtë malorë në këtë zonë tepër të thellë të Gramshit.

BIRN mësoi se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të paradites dhe vetë përgjegjësit e firmës, kanë përdorur fadromën me shpresën se do nxirrnin të gjallë dy punonjësit, një prej të cilëve i afërm i administratorit të firmës ndërtuese të hidrocentralit.

Për ngjarjen me pasoja të rënda ka nisur një hetim për verifikimin e zbatimit të rregullave të sigurisë në punë.

Siguria në punë mbetet një nga problemet më shqetësuese në Shqipëri, sidomos në sektorë si ndërtimi, minierat dhe energjia elektrike. Nga 14 prilli deri në 10 maj 7 punëtorë, përfshi dy të rinjtë e aksidentuar në Holtë, kanë humbur jetën në detyrë.

Ngjarja e rëndë në Gramsh ndodhi një ditë pas gjetjes së trupit të pajetë të Ardit Beshirit, i cili mbeti për 6 ditë i mbuluar nën dhe pas një rrëshqitje masive të tokës pranë rezervuarit me ujë të një fabrike të përpunimit të kromit në Klos.

Ndërkohë dy të vrarë në detyrë janë punonjës të kompanisë publike të energjitikës OSHEE, që humbën jetën në aksidente të ndryshme në Divjakë dhe në Mirditë. Po ashtu brenda më pak së një muaji u vranë në detyrë, një minator në Martanesh dhe një punëtorë ndërtimi në Qerret të Kavajës. /Birn/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH