Mund të jetë miliarder, ikonë hip-hop-i dhe biznesmen i suksesshëm, por as Jay-Z nuk i shpëton dot “gjyqit të rrjeteve sociale”. Një ngjarje e vitit 2018 është rikthyer në vëmendje ditët e fundit, duke shkaktuar debat të ndezur rreth bujarisë (ose mungesës së saj) të reperit legjendar.
Gjithçka lidhet me një mbrëmje luksoze në New York, ku Jay-Z festoi ditëlindjen e mikut të tij të ngushtë dhe presidentit të Roc Nation Sports, Juan “OG” Perez. Sipas raportimeve të kohës, festa përfshiu ndalesa në disa restorante dhe klube, ku u shpenzuan mbi 113,000 dollarë – me kulmin në klubin “Playroom”, ku vetëm fatura për shampanjë Ace of Spades(markë e vetë Jay-Z) arriti 91,135 dollarë.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen nuk ishte vetëm fatura e majme, por bakshishi i lënë në fund: 11,000 dollarë. Shumë përdorues në platformën X (ish-Twitter) nuk e panë këtë si akt bujar, por si “lëshim të turpshëm” për një miliarder.
“11 mijë në një faturë 91 mijë? Nuk i bën as 15 për qind!”, shkroi një komentues i revoltuar.
“Nëse Jay-Z jep 15%, çfarë shprese kemi ne të tjerët?”, shtoi një tjetër.
“Mos dil nëse nuk lë bakshish siç duhet”, përfundoi një tjetër koment i prerë.
Por jo të gjithë ishin dakord me këtë linçim digjital. Një pjesë e internetit u shpreh e habitur nga indinjata për një shumë që për shumicën është e paarritshme.
“Në çfarë bote jetojmë që 11 mijë dollarë bakshish konsiderohen problem?”, shkroi dikush. Një tjetër ironizoi: “Konobarja mori 11 mijë në një natë, dhe ju po ankoheni se nuk ishin 20%? Dilni nga shtëpia”.