Në seancën e fundit në GJKKO për çështjen “Plumbi i Artë”, dëshmoi Erion Alibej, i njohur edhe me nofkën “Krymi”. Ai është cilësuar si kreu i një bande në Elbasan dhe tregoi para gjykatës disa detaje për vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, si dhe për njohjen me emra të njohur të botës së krimit, përfshirë Nuredin Dumanin, i dyshuar si vrasës me pagesë.
Alibej rrëfeu se në mbrëmjen e 29 dhjetorit 2018, ndodhej në një gëzim familjar kur mori lajmin tragjik se vëllai i tij ishte qëlluar me armë në zonën e Bradasheshit. Ai përshkroi momentin kur u nisën për në vendngjarje me disa makina, ku në të parën ishte Endriti me një Range Rover me targa rumune. Me të ndodheshin edhe disa familjarë, përfshirë edhe një shtetas turk dhe një kushëri. Endriti ishte pak i dehur dhe i kërkoi kunatës së tij, që ishte shtatzënë, të kalonte në makinën tjetër me gratë dhe fëmijët.
Sipas rrëfimit, atentati ndodhi pak çaste më vonë. Alibej tha se ishte i pari që shkoi në vendin e ngjarjes, ku nuk kishte ndriçim dhe mungonte patrulla e zakonshme e policisë, gjë që i ngjalli dyshime. Ai tregoi se trupat ishin ende të ngrohtë dhe familjarët fillimisht menduan se ishte aksident.
Pas ngjarjes, në shtëpinë e familjes Alibej filluan të vinin shumë njerëz. Ai përmendi se takoi për herë të parë Bledar Muçën, ndërsa Florenc Çapjen për herë të dytë. Sipas tij, Muça i kishte thënë që i kishte paralajmëruar Endritin të bënte kujdes, pasi Suel Çela ishte i vetmi person që "bënte masakra të tilla". Alibej gjithashtu përmendi një “Benz” gri që mund të jetë përdorur në atentat.