Kronikë

Rikthehet në Apel çështja e rrëmbimit të Jan Prengës, dëshmojnë Rexhepi dhe Majnishta

Shkruar nga Liberale.al

Rikthehet në Apel çështja e rrëmbimit të Jan

Dritan Rexhepi dhe Aldo Majnishta do të paraqiten më 12 qershor në Gjykatën e Apelit të Posacëm për të dëshmuar në procesin ndaj Festim Bexhdilit, i akuzuar bashkë me ta për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020 në Kamëz.

Festim Bexhdili, i cili ishte kopshtari në Golden Resort, ku u mbajt trupi i pajetë i Prengës, po rigjykohet në Apel pas kthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, që prishi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj tij.

Gjatë seancës së fundit, avokati i Bexhdilit kërkoi zbërthimin e një telefoni të enkriptuar, që sipas prokurorisë Bexhdili e kishte në momentin e arrestimit, për të verifikuar komunikimet me të pandehurit e tjerë. Avokati pretendoi se Bexhdili nuk kishte përdorur një telefon të tillë dhe kërkoi që një ekspert të analizojë pamjet filmike nga Golden Resort, ku shfaqen rrëmbyesit.

Ai theksoi se kopshtari nuk kishte lidhje me krimin, por ishte thjesht në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Prokuroria kundërshtoi këto pretendime, duke theksuar se Bexhdili ishte pjesë e grupit kriminal dhe nuk ishte rastësisht në vendngjarje. Sipas SPAK, në momentin e rrëmbimit, Bexhdili ishte nisur nga plazhi drejt Shijakut.

Gjykata rrëzoi kërkesat e avokatit dhe urdhëroi që pamjet filmike t’i vihen në dispozicion palëve në proces.

SPAK akuzon Dritan Rexhepin dhe Gentian Docin Funiqin si organizatorë të rrëmbimit, ndërsa bashkë me ta po gjykohen Aldo Majnishta, Artan Docaj, Korado Gështenja dhe Martin Bleta si të përfshirë në kryerjen e rrëmbimit. Në një proces të veçantë po gjykohet pronari i Golden Resort, Altin Hajri.

Si prova të reja, SPAK ka paraqitur komunikimet në Sky ECC mes të pandehurve pas rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, i cili ende nuk është gjetur. Jan Prenga ishte babai i tre fëmijëve dhe trupi i tij nuk është zbuluar deri më tani.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH