Policia e Librazhdit ka goditur një tjetër rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të planit operacional “Koordinata”. Gjatë kontrolleve intensive, të kryera me forca të shtuara dhe me ndihmën e dronëve, u evidentua një parcelë me 150 fidanë kanabis në fshatin Spathar.
Për këtë rast u arrestua shtetasi J. R., i dyshuar si personi që kishte kultivuar bimët narkotike. Fidanët u asgjësuan menjëherë nga Policia, përmes djegies në vendngjarje.
Po ashtu, në vijim të hetimeve, u procedua penalisht në gjendje të lirë kryetari i fshatit Spathar, shtetasi N. Xh., i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për veprimtarinë e paligjshme dhe nuk ka vepruar sipas detyrës.