Është nxjerrë nga ujërat e lumit Shkumbin, trupi i pajetë që u gjet ditën e sotme.
Mësohet se trupi u nxor nga uji me ndihmën e një fadrome, teksa raportohet se i përket një burri rreth të 50-ave, por ende nuk dihet identiteti i tij. Viktima u konstatua sot rastësisht nga një peshkatar amator, jo shumë larg nga qendra e qytetit të Elbasanit, pranë zonës së Katundit të Ri.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe rrethuan perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një mbytje aksidentale apo një ngjarje me motive kriminale.
Policia është në fazën fillestare të hetimeve dhe i bën thirrje qytetarëve që kanë dijeni për ndonjë person të zhdukur, të kontaktojnë menjëherë strukturat përkatëse.