Babai i Ilaria Sulës ka folur për mediat italiane për humbjen e vajzës së tij, por edhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Napoli, ku 14-vjeçarja Martina Carbonaro u vra nga i dashuri i saj.
Flamur Sula ka thënë se nuk mund të ketë falje për Mark Samson, i cili i mori jetën Ilarias në mënyrë të tmerrshme, por as edhe për një person tjetër që bën gjëra të tilla. Sipas Sulës, ajo që i ndodhi Ilaria dhe 14-vjeçares Martina është katastrofë.
Më tej, Flamur Sula tha se nuk do të ndalet derisa të gjejë drejtësi për të bijën dhe që Samson të jetë në burg.
“Nuk do të qetësohem derisa ai të jetë në burg përgjithmonë. Ende nuk mund ta besoj, nuk mund ta kuptoj se si ia doli t’i bënte diçka të tillë asaj. Deri në frymën time të fundit do të përpiqem të gjej drejtësi për Ilarian. Nuk do të dorëzohem kurrë.
Nuk mund të ketë falje për njerëzit që janë të aftë të bëjnë gjëra të tilla. Ajo që i ndodhi Ilarias dhe vajzës nga Napoli nuk është një aksident rrugor, por një katastrofë. Ato u vranë nga autorët me vetëdije. Dikush vendosi që një person tjetër nuk kishte më të drejtë të jetonte. Kjo nuk mund dhe nuk duhet të pranohet.”- tha ai.