Pak ditë më parë, një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në një nga marketet e Tiranës. Sipas informacioneve, një grua dyshohet se ka tentuar të rrëmbejë një 2-vjeçare.
Lidhur me ngjarjen e cila u raportua nga mediat fillimisht, policia e Tiranës tha se gruaja është shpallur në kërkim, pasi babai i të miturës ka bërë kallëzim.
Pas këqyrjes së kamerave të marketit, është parë se gruaja ka marrë në krahë vajzën 2-vjeçe, ka dalë nga dera e marketit dhe më pas është rikthyer sërish.
Punonjësit e marketit kanë thënë se gruaja gjatë komunikimit ka shfaqur probleme të shëndetit mendor.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Opinion”, gazetari Besar Bajraktaraj, tha se të martën është bërë i mundur identifikimi i gruas. Bëhet fjalë për një grua rreth të 50-ave dhe që dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.
“Pasditen e sotme është bërë identifikimi i gruas. Policia nuk e bën të ditur emrin e saj pasi nuk është shoqëruar. Është një grua e cila është rreth të 50-ave, dyshohet me probleme pasi nga vetë komunikimet që ka mbajtur me stafin, nga ato që ata kanë deklaruar se kanë komunikuar me zonjën u ka dhënë përshtypjen se është me probleme mendore”, u shpreh gazetari.