Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Ka qenë gjykatësi Engert Pëllumbi i cili ka marrë parasysh kërkesën e prokurorëve të posaçëm Ols Dado dhe Altin Dumani që këmbëngulën në mbajtjen e Veliaj në qeli, pasi sipas tyre vë në rrezik procesin, duke pasur mundësi të prishë provat apo intimidojë dëshmitarët.
Përmes avokatëve mbrojtës, Veliaj kërkoi heqje të arrestit në burg me qëndrimin se nuk është i rrezikshëm, nuk ka rrezik për t'u larguar, nuk ka mundësi të dëmtojë provat. Por, prokurorët i kujtuan se ai po hetohet për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash.
Kujtojmë se Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 Shkurtit, pasi u arrestua nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Veliaj në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxën, biznesmenë dhe organizata jo fitimprurëse, të lidhur me të për përfitimin e shumave të mëdha monetare.