Apeli i GJKKO pritet që të shpallë ditën e sotme në orën 10:00 vendimin për ndryshimin ose jo të masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Mësohet se në seancën e djeshme që zgjati më shumë se 3 orë, Veliaj i kërkoi gjykatës heqjen e masës së arrestit në burg, ndërsa pretendoi se provat e paraqitura një ditë më parë nga Prokuroria flisnim vetëm për përgjimet e kryebashkiakut me familjarët e tij, por nuk provonin asnjë shkelje ligji nga ai.
Veliaj i kujtoi SPAK edhe sulmet publike të Sali Berishës dhe faktin që nuk morën asnjë masë ndaj tij.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SAK, por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen.”, mësohet të ketë thënë Veliaj.
Seanca në Gjykatën e Apelit të Posaçëm nisi të martën në orën 10:00. Edhe biznesmeni Elman Abule, që mbahet njësoj si Veliaj i arrestuar, kërkoi lehtësim të masës së sigurisë. Ndërkohë prokurorët e posaçëm, Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan vijimin e masës arrest në burg për Veliajn, duke argumentuar se edhe nga qelia ka shantazhuar drejtësinë përmes mediave të caktuara.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtjes të kryebashkiakut i kërkuan gjykatës shfuqizim të masës së arrestit në burg ose ndryshim me një masë më të lehtë sigurie duke ofruar edhe garanci pasurore.