Prokuroria e Tiranës vendosi konfiskimin e pasurive të ish-zyrtares së Ministrisë së Financave, Alda Klosi.
Asaj i është konfiskuar apartamenti së bashku me garazh, si dhe tre llogari bankare, njëra prej të cilave me një shumë të konsiderueshme prej mbi 400 mijë euro.
Alda Klosi, zyrtare e Ministrisë së Financave, gjatë kohës që drejtohej nga Arben Ahmetaj, ra viktimë e vjedhjes në banesë nga sanitarja e saj, Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi. Pas denoncimit që vetë Klosi bëri se sanitarja i kishte vjedhur nga banesa sende me vlerë dhe qindra mijëra euro prokuroria zbardhi edhe skandalin me mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë prej saj.
Përfundimisht Klosi u dënua me burg me 2 vite e 6 muajpor me pranimin e gjykimit të shkurtuar i takonte të vuante 20 muaj burg. Ajo e kreu dënimin dhe aktualisht është e lirë.
Vendimi prokurorisë:
- Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë tetëmijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikan, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetëedymijë e nëntëqindepesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023;
- Apartament me siperfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.; dhe
-Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.