Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zhvilloi një operacion të gjerë në qarqet Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Operacioni u krye në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 177/2023, ku nga 13 persona të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti, 7 janë arrestuar dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim – shumica prej tyre jashtë vendit. Janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sipas SPAK, anëtarët e këtij grupi përdornin platformën e enkriptuar “Sky ECC” për të komunikuar, e cila është zbërthyer nga autoritetet franceze. Gjatë hetimeve janë dokumentuar të paktën 7 episode të trafikimit të lëndëve narkotike gjatë viteve 2020-2021, si dhe tentativa për të ndikuar në drejtësi përmes ryshfeteve që arrinin deri në 7,500 euro.
Ndër personat nën hetim ka edhe ish-zyrtarë të policisë, përfshirë një shef të policisë kriminale, që dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke u dhënë të dhëna sekrete personave të përfshirë në grupin kriminal.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar:
5 automjete luksoze (Maserati, Porsche, Audi RS6, Audi e-Tron, Volkswagen Golf 8)
Lëndë narkotike e dyshuar kokainë
8 telefona celularë (disa të enkriptuar)
40 fishekë 7.62 mm
Një armë zjarri dhe sende të tjera të dyshimta
Në këtë operacion janë përfshirë edhe autoritete ndërkombëtare nga Franca, Italia, Ekuadori, Serbia, Eurojust dhe Europol, të cilat janë falënderuar nga SPAK për bashkëpunimin.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.