Aktualitet

25 NËNTOR 1912 / Detajet e ngritjes së flamurit në Elbasan - 'Kryeqyteti' real i Shqiperisë së kohës

Shkruar nga Liberale

25 NËNTOR 1912 / Detajet e ngritjes së flamurit në Elbasan -

Në 2009 u gjend në Beograd, origjinali i shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit

Nuk ishte rastësi shpallja e pavarësisë në Elbasan, si qyteti i parë që ngriti flamurin shqiptar më 25 Nëntor 1912. Kështu Elbasani do të jetë qyteti që vendos gurin e parë në themelet e Pavarësisë Kombëtare. Ishin shumë arsye historike, gjeografike, shoqërore etj, pse u ngrit Flamuri në Elbasan. Kjo ditë do të mbetet një moment krenarie historike për Elbasanin.

Ja ç’shkruan Qamil Çelirama për ato ditë: “Të gjithë patriotët e Elbasanit, sidomos neve rinia patriotike, u aktivizuam për me pregatitë flamurë e shqiponja, për me e festue sa më mirë atë ditë”. Nderim për Aqif Pashë Biçakçiun, si kryetari i parë i Qeverisë së përkohëshme në Elbasan e shumë patriotëve të tjerë trima, që bënë të pamundërën atë ditë. Është historike ajo çka është shprehur Ismail Qemali në nji letër dërguar Aqif Pashë Elbasanit: "ç'vend do të kem unë në histori nuk e di. Sa për ju, Aqif Pashë Elbasani, emri juaj do të jetë i shquar nëpër faqet e ndritura të historisë".

Patrioti Themestokli Gërmenji do të shkruante në vitin 1916:
Kjo është fytyra e atdhetarit të çkëlqyer Aqif Pashë Elbasanasit, i cili atdhetarismën e provoj me vepra, dyke bërë kurban për interesin dhe nderin e Shqipërisë, tërë gjënë edhe mallë e tij edhe vuri në resik kaqë herë edhe jetën e tij. Këtë burrë besnik, tërë populli shqipëtar e adhuron dhe pret nga ay shumë shërbime të tjera. Sot ndodhet në shërbim të atdheut ndë Elbasan.

E paçim sa malet!

Kurse Filip Papajani për këtë ditë do të shkruajë:

Ty Tirana t'ka për shembull
Shkodra mëni
Durrësi, Vlora e Berati të kanë zili
Dhe Kavaja me Peqinin fort të çmojnë
Manastiri, Ohri, Dibra
Pa ty s'rrojnë.

Janë 35 firmëtarë të aktit të Pavarësisë. Është meritë e elbasanasit, Lef Nosi ish firmëtar i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që shumë telegrame e letra të asaj kohe i botoi në Dokumenta Historike. Në 2009 u gjend në Beograd, origjinali i shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit, si duket i marrë nga ushtria serbe që po hynte në Elbasan.

Për këtë ditë mund të shkruash pafundësisht, por ky shkrim i shkurtër është edhe nji kujtesë për brezat e sotëm dhe ato që do të vijnë, duke u ndjerë krenarë për historinë e qytetit të tyre.

1- Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani)

2- Flamuri, që ngriti Aqif Pasha në Elbasan, më 25 nëntor 1912 dhe në festimin e pervjetorit të parë të pavarësisë më 28 nëntor 1913, qendisur nga Marie Buda.
3- Dokumenti origjinal që i dërgohet Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë së Elbasanit.(aqsh)
4- Telegram i Lef Nosit, dërguar I.Qemalit ku shpreh gadishmërinë e mbarë qytetarëve të Elbasanit e rrethinave në mbrojtje të qeverisë së Vlorës.(aqsh) / Marrë nga faqja në Fecebook “Elbasani”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH