
Rreth 15 persona, pjesë e stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, janë paraqitur këtë të hënë në SPAK, pasi janë të dyshuar për abuzim me tenderat.
GJKKO ka vendosur masën e sigurimit “detyrim paraqitje” për ata, duke i konsideruar të dyshuar për abuzimin në 9 procedura tenderimi.
Ndërkohë, për 5 të tjerë është lënë në fuqi masa “arrest në shtëpi”, e cila u vendos të enjten e kaluar, ndërsa për 4 persona të tjerë është marrë masa “arrest në burg”.
Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje ndërsa sipas SPAK dyshohet se zyrtarë të këtij universiteti kanë manipuluar nëntë tendera gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.
Në kuadër të hetimit, janë lëshuar 24 masa sigurie, ku 5 prej tyre janë arrest me burg, 10 arrest në shtëpi dhe 9 masa detyrimi për t’u paraqitur në prokurori.
Hetimet kanë zbuluar një skemë korruptive, ku janë përfshirë zëvendësrektori i universitetit, administratori dhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar me kompani private, duke përcaktuar fituesit e tenderave paraprakisht dhe duke falsifikuar dokumente për të rritur vlerën e kontratave publike.