Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka bërë një denoncim të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar se Suel Çela, një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, ka shndërruar burgun e Peqinit në një shtab zgjedhor në mbështetje të kandidates socialiste Sara Mile.
Sipas Nokës, më 2 ose 3 maj, në orën 10:00, në lokalin e policit Çim Delia, punonjës policie me uniformë kanë zhvilluar një takim për t’u përfshirë në fushatën zgjedhore. Gjithashtu, më 19 prill, në fshatin Gjocaj të Peqinit, janë përfshirë punonjës të policisë së burgut të Peqinit, përfshirë edhe Shefit Draga, në një takim ku ishte e pranishme edhe kandidatja Sara Mile.
Noka shprehet se burgu i Peqinit është kthyer në një ndërmarrje me pronar Suel Çelën, duke theksuar se ky institucion është përdorur për qëllime politike në mbështetje të Partisë Socialiste.
Këto akuza vijnë në një kohë kur Suel Çela është në kërkim për porositjen e dy vrasjeve dhe është akuzuar për drejtimin e një organizate kriminale. Pavarësisht se ndodhet në arrati, ai ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg” në Gjykatën e Lartë, e cila e ka rrëzuar kërkesën e tij.