Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, fluturimi i parë certifikues u realizua sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Kompania “MABETEX” e biznesmenit shqiptar Behgjet Pacolli është përgjegjëse për ndërtimin e aeroportit në këtë qytet. Sot, pas testimit të avionit, Pacolli zbriti në pistën e aeroportit të Vlorës, ku u prit nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit nuk nguroi të bënte batuta me sipërmarrësin nga Kosova.
"Syri i keq plasi se Baca zbriti, po shkon njëherë në Vlorë që ta shohë Vlora dallëndyshen e parë që lajmëron një pranverë në të gjitha sezonet e aeroportit."- tha Rama me nota humori.
Pacolli foli për punën e bërë deri më tani, duke u shprehur me bindje të plotë se "aeroporti i Vlorës do jetë më i bukuri në rajon".
“Falenderimet e mia shkojnë për qeverinë e Edi Ramës, sigurisht për vizionin që e kanë pasur që unë e kam familjarizuar, që më ka pëlqyer dhe kam dashur ta mbështes. Secili e di që një objekt i tillë ndodh me dëshirën e flaktë, me planin e hershëm të qeverisë për të pasur një aeroport. Kur kam bërë bisedat e para, është folur për një gjë të tillë dhe ishte e vështirë ta besoja se do bëhej realitet.
Erdha nga një rrugë e largët, erdha në orën 4 të mëngjesit në Tiranë dhe aty vlonte prej punës. Ajo ma bëri edhe një herë me dije se ne duhet të përshpejtojmë dhe të hapim këtë aeroport, t’ja nisim punës, nuk është më luks, por një nevojë. Bashkëpunëtorëve të mi u them se nuk është punë për dekor, por madhështore dhe që do u kontribuojë sëe pari familjeve tuaja, banorëve të kësaj ane.
Është kënaqësi të dëgjoj se këtu do punësohen mbi 1 mijë persona. Janë vende pune prestigjoze që paguhen mirë dhe do jetë kënaqësi për familjet e tyre, do kenë të ardhura të mira. Edhe pak kurajo të ecim përpara dhe të vijë dita që do e lus kryeministrin që të vijë edhe një herë këtu dhe ta shohë këtë aeroport edhe nga brendësia.”