Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është paraqitur paraditen e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai ka hyrë në ambientet e GJKKO, i shoqëruar nga avokati i tij.
Prokurori Edvin Kondili kërkoi dënimin e tij me 1 vit burgim, për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhe 5-vjeçare.
Sipas akuzës, Memolla ndërhynte pranë OSHEE që të mos u ndërpritej energjia elektrike debitorëve, me qëllim që ata ta votonin në zgjedhjet vendore të 6 marsit 2022 ku ai kandidonte nën siglën e PS, ku edhe rezultoi fitues.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim kryebashkiakun e Rrogozhinës,së bashku me tre persona të tjerë: Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku. Ata akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas publikimit të një regjistrimi audio që ngriti dyshime për ndikim të paligjshëm.