Aranit Muraçi
Të gjitha rankimet e nxjerrin Universitetin e Tiranës, që vlerësohet si universiteti më i mirë publik në vendin tonë, në vendin e fundit në rajon, përsa i përket cilësisë. Në vend të përmirësimit, me kalimin e viteve universitetet tona publike janë duke humbur gjithmonë e më shumë terren. Universiteti i Prishtinës po ashtu pësoi një rënie gjatë disa viteve nga renditja e përgjithshme e universiteteve në botë, sipas rankimit të “webometrics.info”, por mund të krenohet me faktin se në renditjen botërore vijon të pozicionohet më mirë se ai i Tiranës.
Universiteti publik i Prishtinës sipas këtij rankimi renditej në vendin e 3860 në vitin 2016, por edhe pse ka bërë disa përmirësime gjatë viteve të fundit dhe këtë vit është ngjitur në vendin e 3026, përmirësimi ka qenë më i ngadaltë krahasuar me përmirësimet e universiteteve të tjera të rajonit.
Universiteti publik i Tiranës nuk ka bërë shumë përmirësime krahasuar me të gjitha universitetet e tjera të rajonit. Në renditjen e fundit, viti 2023, sipas “webometrics.info” universiteti më i mirë publik i vendit tonë mban pozicionin e 3878 në botë, duke lënë pas Universitetin Bujqësor të Tiranës që renditet në vendin e 4486, dhe atë Politeknik që mban vendin e 5875.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor universiteti më i mirë është ai i Lubjanës (vendi i 293) megjithëse Sllovenia përjashtohet ngaqë është vend anëtar i BE-së, i ndjekur nga ai i Beogradit (455), i Zagrebit (502), i Sarajevës në Bosnje (1713), i Shkupit (1580), i Malit të Zi (2029).
Dukshëm universitetet publike shqiptare kanë mbetur shumë pas të gjitha universiteteve të rajonit, duke bërë pengesë e zhvillimit të arsimit të lartë në vendin tonë, edhe pse buxheti i tyre mbahet me mbi 75 për qind të taksapaguesve shqiptarë.
Greqia, vend i Bashkimit Europian, renditet mjaft mirë në rajonin tonë me disa universitete në 1000 më të mirat në botë. Ashtu sikurse edhe Rumania dhe Bullgaria. Nuk mbetet pas Turqia, që konkurron me disa universitete në 1000 më të mirat në botë.
[caption id="attachment_1317922" align="alignnone" width="1242"] Renditja sipas “webometrics.info”, e 5 viteve më parë[/caption]
Universiteti i Tiranës, sipas një tjetër ranikimi, mund të krenohet me faktin se renditet i pari në Shqipëri, por del në vendin e 3034 në renditjen e përgjithshme botërore të vitit 2022. Renditja e EduRank për Universitetin e Tiranës bazohet në 3 faktorë: performanca e kërkimit (një algoritëm që vlerësoi 1396 botime dhe 10209 citate), reputacioni joakademik dhe ndikimi i 75 ish-studentëve të shquar.
Universiteti i Beogradit, i pari në Serbi, sipas të njëjtit rankim mban vendin e 124 në Europë dhe vendin e 405 në Botë. Universiteti më i mirë në Greqi mban vendin e 16-të në Europë dhe të 84 në botë. Universiteti më i mirë publik i Maqedonisë së Veriut mban vendin e 507 në Europë dhe të 1543 në botë. Kurse Universiteti i Sarajevës mban vendin e 413 në Europë dhe të 1378 në botë. /Liberale.al/
10 universitetet më të mira në botë, siç tregon edhe tabela, i ndajnë dy vende: Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa nga vendet më të zhvilluara të Europës, Kina dhe vendet e tjera të zhvilluara të botës, kryesisht në Azi, kontribuojnë me 100 universitetet më të mira të vitit 2023. Si përfundim, edukimi dhe investimi në arsim, për çdo vend tjetër të botës, përkthehet në progres, emancipim të shoqërisë, zhvillim.