Aktualitet

“Franku nuk e shan Shqipërinë, është kjo arsyeja pse s’jam dorëzuar krejt”

Shkruar nga Liberale

“Franku nuk e shan Shqipërinë, është kjo arsyeja pse

Nga Sonila Meço

Franku, nipi im është gjysmë gjerman, gjysmë shqiptar nga genet, por zemra e tij është 100% shqiptare. Ka lindur larg, rritur me rregull, me përpikmëri gjermane dhe estetikë europiane, por sa herë vjen këtu i ndritin sytë. Ai do Himarën, Thethin, Valbonën, Llogaranë, detin tonë pa filtra dhe kodrat që kundërmojnë erën e ullinjve.

Edhe kur sheh ndërtime që ngrihen mes gjelbërimit, plehra që kutërbojnë mbi përrenj, çmime arrogante sërish nuk pranon që Shqipëria të shahet. Ai i di fajet, i sheh vetë. Por nuk pranon ta shajë, sepse e ndien si të tijën.

Franku nuk e njeh konceptin “investitor strategjik” siç përdoret në Shqipëri, ndoshta sepse studion juridik në Hollandë. Por njeh të tjera, një burrë që ende mbjell fiq në fshat, një grua që gatuan byrek me spinaq të mbledhur vetë, një rrugicë që të çon tek një shpellë e lashtë, një guvë në ujë qelibar ku freskia është bekim. Ai i njeh thesaret, siç njeh trendin e australianëve në tik tok me video nga Kroacia në Greqi me ndalesa në Shkodër, Valbonë, Theth, Himarë e Gjirokastër.

Verën s’e kupton dot pa ardhur në Shqipëri. E do me gjithë shpirt. Të vjen, të përqafon, e të pyet: “Keni shkuar në Berat këtë vit?”

E do Dardhën. Edhe kur rruga është gjysmë gropë, gjysmë reklamë. E do bregdetin edhe kur hotelin e gjen pa drita e pa ujë. E do peshkun në tigan, edhe kur kamarieri i sjell një tjetër tavë “nga lodhja e vapës”.

Sepse dashuria që ai ka për Shqipërinë është e pastër. E padëmtuar nga zhgënjimi. E mbushur me kujtime, jo me llogari. Dhe kur ai më thotë: “Çfarë mrekullie ka bërë Zoti me Shqipërinë” nuk e bën me patetizëm, por e thotë nga një lloj shprese që unë e kam humbur. Sepse unë e di se turizmi nuk po dështon nga mungesa e diellit.
Po dështon nga lakmia për të shitur sot, edhe nëse kjo e shkatërron turizmin nesër.

Dhe gjendem e mbërthyer në ngërç, sepse ata që na e duan Shqipërinë më shumë, shpesh nuk jetojnë këtu. Por ende vijnë.
Ende shpresojnë.
Si Franku im. Që s’e sheh Shqipërinë si vend pushimi, por si pjesë të tij.
Dhe që, me gjithë gropat, betonin, çmimet dhe padrejtësitë sërish thotë:
“Kur do kthehem prapë?”
Ka me vete edhe këmishë me shqiponjë. E vesh vullnetarisht në çdo kohë edhe kur nuk luan kombëtarja.

Unë jam lodhur. Ai jo.

Unë e pres në aeroport me cinizmin që më ka stërvitur jeta këtu.
Ai më thotë:
– Si je? Shqipëria si duket sivjet?
I them:
– Po ajo që ishte vjet, veç më me shumë kulla dhe më pak ujë.
Ai qesh, me atë buzëqeshjen e Frankut që s’të jep të drejtë, por as nuk të hedh poshtë.

– Pse vjen gjithmonë këtu? – i them.
– Sepse këtu më kujtohet se jeta s’është vetëm efikasitet.
– Po këtu s’është as eficente, as dinjitoze.
– E di. Por ka ngrohtësi, kaos, papërsosmëri që s’më shqetëson.
– Po ne po vuajmë! – i them.
– E prandaj nuk kam të drejtë ta shaj, – më thotë. – Ju keni. Unë s’mundem. E dua siç është.

E më mbyll gojën. Si gjithmonë.

Unë s’duroj më as Instagramin me “bukuri natyrore” që zhduken nga viti në vit. Ai poston një video nga festivali me muzikë tradicionale në Potam me hashtagun #paradise
“E di që ka probleme, por ka diçka që s’e gjej askund tjetër.”

Bëjmë debate çdo verë.
– Frank, këta e kanë marrë bregun, malin, lumin, çdo gjë. Shqipëria është kthyer në projekt eksperimental.
– E di, më thotë. Por nuk mund ta shaj një vend që më jep ndjesinë që asnjë tjetër s’ma jep.
– Po ti nuk jeton këtu!
– Një pjesë e shpirtit, po! Kam gjyshen, ty, rrënjët…

I shpjegoj gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri se vendi po humbet jo vetëm për shkak të çmimeve të larta, por të boshllëkut që fshihet pas tyre. Një boshllëk kulturor, etik dhe profesional.
Shqipëria nuk është më befasia. Është paralajmërimi. Një vend që po e konsumon veten më shpejt se ç’e njohin të tjerët.

Franku më dëgjon. Por do të shohë edhe më. Duke e dashur po njëlloj këtë vend.

Momenti më i bezdisshëm është fundi i pushimeve.
Franku mbledh valixhet, më përqafon dhe më thotë me një lloj dhembshurie:
– Duaje vendin tim!
– Vendin tënd? – i them. – Po ti jeton në Gjermani, studion në Hollandë, bën intership në Portugali.
– Epo, dashuritë funksionojnë edhe në distancë kur janë të forta.
Dhe niset, i qeshur, plot dëshirë jete.
Ai s’e shan kurrë Shqipërinë.
Sepse ende nuk ka nevojë ta justifikojë braktisjen.
Ne e shajmë.
Sepse nuk dimë si ta mbrojmë më.

Dhe të jem e sinqertë, Franku është arsyeja pse unë s’jam dorëzuar krejt. Sepse sa kohë ka të rinj që e duan këtë vend pa u kruspullosur pas cinizmit, ndoshta ka ende pak shpresë për të qendruar e rezistuar në vendin ku kujtimet ia vlejnë të ruhen.

Franku s’e shan Shqipërinë.
Dhe kjo është shenja që ende s’e kemi humbur.
Për aq kohë sa ka njerëz që nuk i detyrohen këtij vendi, por sërish e duan,
ndoshta mund ta shpëtojmë nga ata që s’e duan, por nuk largohen.

P.S: Nëse takoni ndonjë Frank këtë verë, bëjeni për vete. Janë të rrallë. Sepse megjithëse janë gjysmë të huaj edhe atyre u vjen turp nëse marrin vesh se Shqipëria nuk është “shtëpi në rregullim”, por “shtëpi në shitje.”

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH