Ish-biznesmeni Davide Pecorelli, i dënuar me katër vite burg për mashtrim, zjarrvënie të qëllimshme dhe kalim të paligjshëm të kufirit, ka ndërprerë grevën e urisë pas dy javësh protestë në burgun 313 në Tiranë.
Në një bisedë telefonike me një gazetar italian, Pecorelli tha se ka humbur 6 kilogramë, por shpreson në një zhvillim pozitiv pas kalvarit disa mujor.
Më 31 korrik, Gjykata e Apelit në Shqipëri publikoi arsyetimin e vendimit të saj, duke i hapur rrugë paraqitjes së rekursit në Gjykatën e Lartë.
Avokatët italianë dhe shqiptarë të Pecorellit nuk kishin mundësi të apelonin më parë, për shkak të mungesës së këtij dokumenti. Ai shpreson që rekursi të sjellë një masë sigurie më të butë deri në procesin e radhës, i cili është planifikuar për më 18 shtator.
“Po, kam filluar të ha sërish. Kam humbur gjashtë kilogramë, por tani mund të shpresoj për diçka pozitive, pas gati tre muajsh kalvar”, tha Pecorelli, sipas asaj që shkruan La Nazione.
Ndërkohë siç shkruan La Nazione pë rastin ka ndërhyrë edhe Avokati i Popullit në Shqipëri duke bërë një inspektim në qelinë ku ndodhet italiani.
Pecorelli ndodhet në burgun 313 në Tiranë që prej 8 majit. Ai ka dërguar letra ndaj gjykatës dhe konsullatës italiane se po qëndron në një qeli 16 metra katrorë me tetë persona të tjerë, pa ujë të rrjedhshëm dhe me prani të minjve.
Në 2021-shin, 47-vjeçari inskenoi vdekjen e tij në zonën e Pukës ku pasi kishte marr një makinë me qira dhe pasi kishe siguruar disa mbetje eshtrash, dogji makinën duke lënë pas një skenë krimi dhe u largua.
1 vit më pas, në 2022, hetimet nxorën zbuluar të gjithë inskenimin, teksa Pecorelli u arrestua në Itali, pasi ishte larguar nga vendi jonë ilegalisht.
Për disa muaj ai jetoi i fshehur në qytetin e Vlorës.
Shkak i inskenimit ishin borxhet që ai kishte pas falimentimit të biznesit, duke humbur gjurmët për shumë muaj, derisa u gjet në Itali pranë ishullit të Montecristo-s.