Në shkurt, inteligjenca amerikane vlerësoi se Rusia kishte të paktën 35,000 ushtarë të vrarë në luftë dhe të paktën 154,000 të plagosur, ndërsa vlerësohet se Rusia ka humbur më shumë se 2,000 tanke dhe gati 900 automjete të blinduara luftarake.
Pa llogaritur anën ekonomike, Rusia nuk ka parë të tilla humbje që nga Lufta e Dytë Botërore. Shkatërrimi i shpejtë i ushtrisë ruse - dhe paaftësia e tyre - e detyruan Putinin të mbështetej më shumë te “Wagner Group”, një kompani private ushtarake e krijuar nga Yevgeniy Prigozhin.
Megjithëse Prigozhin ndaloi marshimin drejt Moskës, fakti që ai ishte në gjendje të organizonte një rebelim të tillë nxjerr në pah dobësitë e Putinit.
Është e qartë se vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për të nisur një luftë kundër Ukrainës ka rezultuar katastrofike.
Plani i tij, për të pushtuar Kievin brenda pak ditësh, në shkurt të vitit të kaluar, ishte një marrëzi groteske që ka pasur një ndikim katastrofik në Rusi dhe mund të përfundojë duke çuar në rënien e tij.
Që kur nisi lufta në Ukrainë më shumë se 200,000 trupa ruse janë vrarë ose plagosur, ekonomia ruse është goditur nga sanksionet globale dhe shumë nga njerëzit më të mirë dhe më të zgjuar të Rusisë janë larguar nga vendi.
Aktualisht Putin përballet me një rebelim nga një i zemëruar, i cili ka ushtrinë e tij private prej të paktën 10,000 ushtarësh.
Për hir të luftës së Putinit, qytetarëve të Rusisë u është dashur të sakrifikojnë liritë personale, prosperitetin ekonomik dhe aktualisht po përballen edhe me trazira civile. Shumëkush duhet të pyesë veten se çfarë kuptimi ka që një 70-vjeçar të mbetet president nëse ai nuk mund të garantojë më sigurinë e tyre?
Putin ka qenë në pushtet për 23 vjet dhe kurrë nuk është dukur më i cenueshëm se në 24 orët e fundit. Ai goditjen e mori nga dy prej krijimeve të tij – lufta në Ukrainë dhe promovimi i shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin.
Prigozhin u ngrit nga një ish-i dënuar dhe shitës “hotdog”- ësh në një furnizues ushqimesh dhe madje u bë i njohur si kuzhinieri i Putinit. Ai krijoi ushtrinë e tij private që kreu disa nga punët e pista të Putinit në Siri dhe vende të tjera përpara se të rekrutonte të burgosur rusë që të luftonin në Ukrainë.
Ai gjithashtu ndihmoi në gjetjen dhe financimin e spekulatorëve që ndërhynë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA. Mark Galeotti, autor i “Luftërave të Putinit”, thotë se presidenti "krijoi Prigozhin si një instrument të dobishëm për veten".
Gjatë muajve të fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më kritik ndaj një sërë dështimesh të ushtrisë ruse në fushë-betejën e Ukrainës dhe për këtë ka fajësuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu si dhe kreun e forcave të armatosura ruse, gjeneralin Valery Gerasimov.
Të premten, ai paralajmëroi se ushtria e tij private do të bllokonte qytetin kryesor ushtarak rus të Rostov-on-Don, nëse Shoigu dhe Gerasimov nuk shkonin për ta takuar. Wagner pretendoi se kontrollonte të gjitha bazat ushtarake në qytet, përfshirë edhe një fushë ajrore.
Është publikuar një video e Prigozhin që denoncon një zëvendësministër të mbrojtjes dhe gjeneral në Rostov, duke u thënë atyre se janë përgjegjës për dështimet në Ukrainë.
"Djemtë po vdesin sepse po i përdorni si top për mish. Pa municione, pa asnjë mendim, pa asnjë plan, ju jeni thjesht kllounë të plakur," thotë ai.
Në 48 orët e fundit, Prigozhin ka përshkallëzuar sulmet e tij ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për herë të parë kritikoi publikisht Putinin.
Ai publikoi një video kundër Putinit për pushtimin e plotë të Ukrainës.
"Lufta nuk ishte e nevojshme për qytetarët tanë rusë. Lufta u duhej oligarkëve. Ajo i duhej klanit që sot praktikisht sundon në Rusi."
Prigozhin akuzoi Putinin se gënjeu për justifikimin e luftës në Ukrainë. Me fjalë të tjera, ai thotë se arsyet e përdorura për të justifikuar pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar ishin të bazuara në gënjeshtra, megjithëse fajësoi më së shumti Shoigu-n dhe jo Putinin.
Më pas, Putini akuzoi grupin Wagner për tradhti gjatë një fjalimi televiziv drejtuar kombit të shtunën, por Prigozhin u përgjigj sërish, duke thënë: "Askush nuk do të dorëzohet me kërkesën e presidentit. Ne nuk e duam Rusinë të vazhdojë të jetojë në korrupsion, gënjeshtra dhe burokraci”.
Këto fjalë duken si një ndryshim dhe përshkallëzimi nuk është thjesht një retorikë. Trupat e Wagner-it janë parë duke u drejtuar sot përgjatë M4 drejt Moskës. Media shtetërore ruse ka raportuar se ka pasur përleshje mes njësive Wagner dhe forcave ruse në qytetin e Voronezh.
Para se të tërhiqej me qëllim siç tha të shmangies së gjakderdhjes mes rusëve, Prigozhin këmbënguli se lëvizja e tij nuk ishte “një grusht shteti”. Ai e quajti atë një "marshim për drejtësi". Por Kremlini nuk e shihte kështu. Presidenti Putin e ka përshkruar kryengritjen si një "thikë pas shpine".
Ndërkaq, forcat e armatosura të Ukrainës do të përpiqen të shfrytëzojnë këtë dobësi dhe kaos në radhët e ushtrisë ruse, ndërsa ushtria e saj vazhdon kundërsulmimin.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, thotë se forcat e tyre të armatosura nisën një ofensivë në shkallë të gjerë në vazhdën e kaosit.
Ishte Wagner ai që ishte përgjegjës për përfitimin e vetëm ushtarak të Rusisë në Ukrainë – pushtimin e qytetit të Bakhmutit në Donbas. Nëse trupat e tij janë angazhuar në kapjen e ndërtesave të qyteteve ruse, në vend që të luftojnë në Ukrainë, kjo kurrsesi nuk mund të shihet si një shenjë e mirë për luftën e Rusisë.
Edhe nëse Putini i mbijeton këtij rebelimi, besueshmëria dhe autoriteti i tij janë minuar aq sa ai do të përballet në vazhdimësi me mundësinë që çdo trazirë civile mund të çojë në një humbje edhe më poshtëruese në fushën e betejës në Ukrainë. /Liberale.al/